
Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një apartament në rrugën “Isuf Sokoli” në Shkodër, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës. Flakët shpërthyen në katin e tretë të një pallati, ku në ato momente ndodheshin dy të moshuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe ndihmës së fqinjëve, ata u evakuuan në kohë dhe fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë lëndim.
Forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën punën për të izoluar vatrën e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e flakëve në apartamentet e tjera të pallatit. Ndërkohë, policia rrethoi zonën dhe siguroi perimetrin, duke larguar banorët për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Për shkak të situatës së krijuar dhe për të garantuar sigurinë, OSHEE ndërpreu furnizimin me energji elektrike në gjithë zonën përreth, deri në stabilizimin e plotë të ngjarjes.






