
Banorët e një blloku pallatesh pas teatrit “Migjeni” në Shkodër përjetuan momente ankthi dhe paniku. Si pasojë e një zjarri të rënë në boksin e sahatëve të energjisë elektrike në brendësi të pallatit, re të mëdha tymi mbuluan ambjentet e brendshme të pallatit por dhe të gjithë zonën.
Situata u normalizua pas mbërritjes së forcave zjarrëfikse të cilat ndërhynë në kohë dhe përmes shkallëve fillimisht evakuan disa banorë të pallatit. Banorët morën ndihmën e parë nga bluzat e bardha ndërsa fatmirësisht nuk kishin lëndime.
Forcat zjarrëfikse ndërhynë në të gjithë godinën për të kryer ajrosjen e ambjenteve të banuara. Policia nisi hetimet ndërsa fillimisht dyshohet që një shkëndijë elektrike të ketë shkaktuar zjarrin i cili më pas përfshiu të gjithë matësit e energjisë elektrike.