
Temperaturat e larta të javëve të fundit kanë rikthyer në vëmendje rrezikun nga rënia e zjarreve, kryesisht në zonat e pyllëzuara të qarkut Shkodër. Për të parandaluar situatat emergjente, Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër ka marrë të gjitha masat tekniko-organizative për menaxhimin e vatrave të mundshme.
Sipas ADZM-së, një rëndësi të veçantë në këtë periudhë përvëluese ka ndërgjegjësimi i popullatës, si dhe këshillat specifike që u jepen vazhdimisht guidave dhe operatorëve turistikë që vizitojnë zonat malore.
Në rajonin e Shkodrës, zonat me rrezikshmërinë më të lartë mbeten ato të pyllëzuara . Ndër pikat më delikate ku vëmendja është maksimale renditen Velipoja, Mali i Taraboshit, Maja e Zezë si dhe masivet pyjore në Alpe.
Përveç gatishmërisë në terren, institucionet apelojnë se kyç në këtë situatë mbetet ndërgjegjësimi i qytetarëve për të shmangur çdo katastrofë mjedisore.






