Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një statusi në Facebook thotë se Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren për t’ju ardhur në ndihmë pushteteve vendore me qëllim përballimin e situatës së krijuar nga zjarret, në tetë qarqe.

Sipas saj, Ligji “Për mbrojtjen Civile” nuk ka për t’i kursyer të gjithë ata individë që i vënë zjarrin kullotave e pyjeve, duke shkaktuar miliona lekë dëm të pasurisë kombëtare.

STATUSI I PLOTE
Flakët e shkaktuara nga dora e njeriut më shumë sesa nga termparaturat e larta, kanë prekur sipërfaqe të tëra me pyja e kullota në 8 qarqe të vendit.
Dhjetra efektivë të Forcave të Armatosura, të pajisur me mjetet e veshjet e posaçme kundër zjarreve janë angazhuar në disa operacione në Fier, Shkodër, Vlorë, Tiranë, Lezhë etj, ditë e natë, për shuarjen e zjarreve që famtirësisht nuk kanë cënuar sigurinë e banorëve në këto zona. Angazhimi i FA nga toka e ajri do të jetë i pakursyer në të gjitha rastet kur, sipas ligjit, pushteti vendor ka ezauruar të gjithë kapacitetin me njerëz e mjete.

Ligji “Për mbrojtjen Civile”, të cilin e kemi miratuar një vit më parë e që përben një prej elementëve më të rëndësishëm të reformës në fushën e emergjencave civile, nuk kursen as pushtetin vendor në rast se nuk i përgjigjet situatave të emergjencës, por as individët që i vënë zjarrin kullotave e pyjave, duke shkaktuar miliona lekë dëm të pasurisë kombëtare.