
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër informon se, në mbështetje të Bashkisë Pukë dhe në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon angazhimi i strukturave vendore dhe qendrore për menaxhimin e vatrave të zjarrit në zonën e Malit të Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit.
Në Malin e Tërbunit, situata paraqitet aktualisht nën kontroll, ndërsa forcat tokësore vijojnë punën për monitorimin dhe eliminimin e vatrave të mbetura. Në zonën Gojan i Vogël – Gojan i Madh – Gjegjan, situata vijon të mbetet dinamike, e ndikuar nga era e fortë. Deri në këto momente nuk raportohet avancim i zjarrit në drejtim të banesave. Operacioni tokësor po mbështetet nga ajri prej 3 ditësh pa ndërprerje me 2 helikopterë, të angazhuar në zonat më problematike.
Në terren janë angazhuar:
– 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë nga Bashkia Pukë;
– 1 mjet zjarrfikës dhe 7 efektivë nga Bashkia Fushë-Arrëz;
– 1 mjet zjarrfikes dhe 3 efektiv nga Bashkia Shjodër
– 50 forca bashkiake;
– 40 efektivë të Forcave të Armatosura;
– efektivë të Policisë së Shtetit
– 50 vullnetarë.
Forcat janë organizuar në disa drejtime operacionale, me fokus Gojanin e Madh, Gojanin e Vogël dhe Gjegjanin, për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbajtur të mbrojtura zonat e banuara.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon koordinimin dhe monitorimin pa ndërprerje të situatës, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe vënien e plotë nën kontroll të vatrave aktive.






