Qindra ushtarë po ndihmojnë operacionet e evakuimit në jug të Spanjës, ku zjarret po rrezikojnë jetën e mijëra banorëve.

Të paktën një zjarrfikës humbi jetën në flakët që morën hov ditën e mërkurë afër rajonit malor të Kosta Del Solit dhe në Andaluzi.

Prej pesë ditësh zjarri ka shkrumbuar mbi 7 mijë hektarë pyje dhe 2,500 banorë janë detyruar edhe më forcë të braktisin shtëpitë.

“Është një zjarr me fuqi dhe intensitet të pazakontë krahasuar me ata që jemi mësuar,” i tha një zyrtar lokal medieve spanjolle teksa justifikoi mobilizimin e ushtrisë në rajon.

“Do të punojmë të koordinuar dhe pa pushim përballë zjarrit që po shkatërron provincën e Malagës,” shtoi edhe kryeministri Pedro Sançez.

Flakët mbeten jashtë kontrollit të zjarrfikësve dhe shuarja e tyre është vështirësuar nga terreni por edhe kushtet e pafavorshme të motit.

Autoritetet thanë se kanë prova e po hetojnë pistën e zjarrvënies me qëllim.

Zjarret kanë kërcënuar gjithë verën vendet e Mesdheut, si Greqinë, Italinë, Turqinë dhe Algjerinë, nisur nga temperaturat e larta prej fenomenit të ndryshimeve klimatike.

Artikulli paraprakPARASHIKUESIT: STUHIA TROPIKALE NICHOLAS NISET DREJT GJIRIT TË MEKSIKËS
Artikulli tjetërSTUDIM: TYMI NGA ZJARRET SHKAKTAR PËR MBI 33.500 VDEKJE ÇDO VIT