Edhe pse pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit në vend janë shuar, disa vatra prej vijojnë që të jenë ende problematike duke djegur bimësinë dhe pyjet e vendit tonë.

Gjendja më kritike paraqitet në Fushë Arrëz, në vatrën e zjarrit në fshatin Blerimaj, ku flakët po përhapen me shpejtësi në drejtim të banesave. Ka filluar ndërhyrja nga ajri me helikopter. Era po favorizon përhapjen me shpejtësi të zjarrit dhe deri tani janë përshkuar 30 ha me shkurre dhe pemë të ndryshme.

Edhe zjarri në fshatin Thirrë në Mirditë ka zgjeruar perimetrin, ku forcat operacionale po përballen me vështirësi për shkak të tymit të krijuar. Situata paraqitet kritike edhe në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishte bashkia Dibër, ku po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes vijon të jetë aktive vatra në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës. Situata është përmirësuar disi, por ka ende vatra të vogla në të gjithë malin. Nuk ka rrezik për banesat. Në këtë zonë afër fshatit Shemëri operon helikopteri Çek. Në ato zona forcat nga toka e kanë të pamundur ndërhyrjen.

Edhe zjarri i rënë në fshatin Patalej në Lezhë vijon të jetë aktive. Situata nga era është përkeqësuar dhe ka zgjeruar perimetrin dhe e bën të vështirë izolimin e tij përmes forcave nga toka. Vijon përhapja në verilindje të fshatit dhe në kufi me bashkinë Mirditë ( në afërsi të fshatit Katund i Vjetër).  Deri më tani është përshkuar 30 ha bimësi e ndryshme. Strukturat janë në ndjekje të situatës.

Në terren ndodhen ndodhen 25 ushtarë, forcat zjarrfikëse dhe shërbimit pyjor të cilët po punojnë prej ditësh për shuarjen e zjarrit, por pa arritur ende që t’ia arrijnë qëllimit për shkak të terrenit të thyer malor dhe bimësisë së dendur.

Në këtë situatë Mbrojtja Civile në Lezhë, kërkon sërish ndërhyrje me helikopter nga ajri për shuarjen e plotë të këtij zjarri i cili vijon të jetë aktiv prej më shumë se 1 jave.