Zjarret e vitit 2025 nuk ishin të pakta as në Qarkun e Lezhës, por pavarësisht dëmeve të shumta të shkaktuara, ky qark nuk është përfshirë në fondet e akorduara nga Ministria e Mbrojtjes për kompensimin e dëmeve.Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri publike një ditë më parë listën e bashkive përfituese nga fondi prej 345 milionë lekësh, por në këtë listë mungojnë bashkitë Mirditë, Kurbin dhe Lezhë, duke mos parashikuar asnjë qindarkë për këtë zonë.Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ai e ka konsideruar të padrejtë përjashtimin e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës nga kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret.
“Zjarret e vitit 2025 shkaktuan dëme të mëdha në pyje, vreshta dhe zonat malore edhe në Qarkun e Lezhës. Por, çuditërisht, kjo zonë nuk është përfshirë në fondet e akorduara nga Ministria e Mbrojtjes për kompensimin e dëmeve. Ministri Pirro Vengu publikoi listën e bashkive përfituese nga fondi prej 345 milionë lekësh, por në këtë listë mungojnë Lezha, Kurbini dhe Mirdita, duke lënë pa mbështetje financiare fermerët, pronarët e pyjeve dhe familjet e prekura. Kjo është një padrejtësi e papranueshme dhe, si deputet i Qarkut Lezhë, do të kërkoj shpjegime të qarta dhe përgjegjësi nga Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria për këtë përjashtim. Lezha, Mirdita dhe Kurbini meritojnë trajtim të barabartë dhe mbështetje reale për të rikuperuar dëmet e shkaktuara nga zjarret”, shkruan deputeti Gjin Gjoni.

Artikulli paraprakLABORATORI I DROGËS NË LEZHË, 3 TË ARRESTUARIT NË GJYKATË
Artikulli tjetërTË MARTËN SEANCA PLENARE E RADHËS, ÇFARË PËRMBAN RENDI I DITËS