
Situata me zjarret po vijon të jetë problematike në veri të vendit. Një ditë më parë në disa fshatra të Njësisë Administrative Kastrat, ka rënë zjarr në shkurre dhe bimësi, i cili ka marrë përmasa të mëdha dhe si pasojë e erës së fortë, është përfshirë nga zjarri një automjet zj dhe ka pësuar disa dëmtime të lehta një zjarrfikës i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.
Kryebashkiaku Tonin Marinaj lidhur me probalematikën e zjarreve shkruan :
Forcat zjarrfikëse të Malësisë së Madhe po përballen me një situatë tepër të vështirë si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të territorit tonë. Vetëm në 24 orët e fundit, ekipet tona kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje në shuarjen e disa vatrave aktive në Aliaj, Pigza, Pjetroshan, Premal, Jeran dhe Çutaj.
Situata ka qenë jashtëzakonisht problematike. Fatkeqësisht, gjatë ndërhyrjes në terren është djegur plotësisht një automjet zjarrfikës dhe një efektiv është lënduar, por është jashtë rrezikut për jetën.
Dua t’i bëj thirrje të gjithë banorëve të Malësisë së Madhe që të tregojnë kujdes maksimal, të mos jenë shkaktarë të zjarreve, as me qëllim dhe as nga pakujdesia. Gjithashtu, ju ftoj që të njoftoni menjëherë autoritetet sapo vini re ndonjë vatër zjarri, në mënyrë që të ndërhyjmë sa më shpejt dhe të parandalojmë përshkallëzimin e situates.






