Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër informon mbi situatën aktuale të zjarrit në Fushë-Lajë, në pyjet e Malit të Tërbunit, Bashkia Pukë.

Situata e zjarrit vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm dhe në kohë reale nga drejtuesi teknik i operacionit dhe strukturat përgjegjëse të angazhuara në terren, nën koordinimin e Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Në terren janë të angazhuara prej disa ditësh strukturat e MZSH Pukë dhe të shërbimit pyjor. Në mbështetje të operacionit janë angazhuar gjithashtu punonjës të shërbimeve vendore, banorë dhe vullnetarë të zonës, si dhe efektivë të MZSH Fushë-Arrëz.

Për shkak të terrenit të thyer malor, temperaturave të larta dhe erës, si dhe për shkak të avancimit të situatës gjatë dy ditëve të fundit, në mbështetje të forcave operacionale në terren janë angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë, nën koordinimin e Institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër dhe AKMC-së.

Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat përgjegjëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrës, me angazhimin e të gjitha kapaciteteve operacionale në dispozicion.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakZJARRET NË VEND/ MINISTRIA E MBROJTJES: 24 VATRA NË 24 ORË, 7 MBETEN AKTIVE, ANGAZHOHEN QINDRA FORCA DHE MJETE
Artikulli tjetërVLLAZNIA, FIRMOS PORTIERI KRISTIAN AVRAM