Drejtori i repartit zjarrëfikës të Shkodrës Agron Dibra ka sqaruar ngjarjen e rëndë të një dite më parë të zjarrit që përfshiu hotelin 3-katësh të familjes Gjoka nga ku mbetën të plagosur katër persona, nëna dhe tre fëmijët e saj. Drejtori Dibra shprehet se bombola që ka patur rrjedhje të gazit është e rrezikshme pasi ato janë bombola që përdoren për kamping dhe jo gjatë gjithë kohës. Edhe qëndrimi për muaj me radhë pa u përdorur ka ndihmuar rrjedhjen e gazit.

Kolaudimi i këtyre bombolave 3-5 kg është i vështirë dhe nuk bëhet nga efektivët zjarrëfikës ndërsa drejtori Dibra i cilëson tejet të rrezikshme.

Mungesa e dëshmive nga personat e përfshirë në këtë ngjarje si shkak i plagëve të rënda që kanë marrë i pengon efektivët zjarrëfikës për ta patur më të qartë atë që ka ndodhur në hotelin e ndodhur në Velipojë.

Gjendja e familjes Gjoka vijon që të jetë e rëndë për shkak të djegies së konsiderueshme që kanë marrë. Nëna Alketa Gjoka 40 vjeçe ka 60% djegie ndërsa tre fëmijët e saj Daniela Gjoka 19 vjeç dhe K.Gj 15 vjeç dhe E.Gj 12 vjeç kanë mbi 80% djegie në trupin e tyre duke vijuar që të jenë në një gjendje kritike për jetën dhe nën kujdesin e rreptë të mjekëve në Tiranë.