Një e moshuar humbi jetën në kasollen e saj në fshatin Gjorm në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur në një stan në vendin e quajtur ura e Gjormit.

Selfi Zenelaj, 80 vjeçare e paralizuar ishte vetëm kur ka rënë zjarri. Bashkëshorti nuk ndodhej në shtëpi, ndërsa as i biri nuk ka parë gjë.

Shkëlqim Zenelaj tha se gjatë natës lehjet e qenve i morën si shenjë se ishte afruar ndonjë ujk te bagëtitë, por nuk ishte dyshuar se po ndodhte diçka në ndërtesën pranë banesës së tij, ku flinte e ëma e paralizuar të cilën e gjeti të pajetë në mëngjes.

Bashkëshorti i gruas së paralizuar e cila as nuk shikonte nuk ndodhej në banesë pasi kishte ikur te shtëpitë e tjera që kanë brenda fshatit Gjorm. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur detaje të tjera nga kjo tragjedi që dyshohet se u shkaktua nga zjarri i oxhakut për ngrohje.