Zogaj është një prej vende turistike me të cilën Shkodra krenohet.

Një resurs natyror i veçantë por i lënë në harresë. Gjatë ditëve të nxehta jo pak persona i drejtohen liqenit të Shkodrës dhe zgjedhin pikërisht Zogajn për të kaluar orët qetësuese. Problem në atë pjesë nuk mbetet vetëm mungesa e investimeve apo rruga që është e ngushtë dhe gjithnjë burim për aksidente. Prej vitesh në atë aks rrugor që në këtë sezon përshkohet në masë, nuk ka ndriçim. Sistemi i ndriçimit rrugor mungon dhe asnjëherë nuk është menduar për të gjetur një zgjidhje. Të kalosh në orët kur bie nata nëse nuk e njeh shumë mirë rrugën rrezikon jo pak të aksidentohesh. Në atë aks rrugor mbizotëron një errësirë totale që rrallë në ndonjë pjesë ndriçohet nga ndonjë shtëpi apo lokalet e zonës. Më e vështirë se për banorët e Zogajve apo Shirokës bëhet për turistët apo vizitorët e huaj që kur vijnë në Shkodër bëjnë një gjiro edhe përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës për të shijuar atë perlë të natyrës. Natyrisht që gjatë natës udhëtimi në Zogaj është i vështirë dhe nuk përkon aspak me vende të tjera të ngjashme turistike. Mungesa e ndriçimit jo vetëm në Zogaj por edhe sapo kalon qendrën e Shirokës përveçse një rrezik për qytetarët apo turistët është edhe një imazh aspak i mirë që krijohet tek të huajt. Nëse do të ishte shfrytëzuar në një formë tjetër duke i dhënë zhvillim më të madh gjithë asaj pjese në bregun e liqenit të Shkodrës jo vetëm se do të kishte më shumë vizitorë por edhe të ardhura më të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejtë tek banorët atje.

Artikulli paraprakVELIPOJË, LALOSHI: PO LIROHEN HAPËSIRAT, TATIMET TË BËJNË MË SHUMË
Artikulli tjetërAMBASADORI I AUSTRISË, VIZITË NË BASHKINË VAU DEJËS