
Temperaturat e ulta kanë përfshirë zonat malore të qarkut Shkodër, duke krijuar kushte të vështira dimërore në disa prej akseve rrugore. Sipas të dhënave zyrtare, temperatura ka zbritur deri në –18 gradë Celsius në Qafë Thore, ndërsa në zonën e Koplikut termometri ka shënuar –3°C.
Pavarësisht motit të acartë, akset malore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth vijojnë të jenë të kalueshme për qarkullimin e mjeteve. Megjithatë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, duke respektuar sinjalistikën rrugore dhe duke përdorur pajisje dimërore, si goma dimërore ose zinxhirë.
Strukturat përgjegjëse bëjnë me dije se në Qafë Thore nuk është konstatuar aktivizim i rrezikshëm i ortekëve, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Në terren janë angazhuar grupet e mirëmbajtjes rrugore, të cilat po punojnë për pastrimin e borës dhe kriposjen e akseve, me qëllim parandalimin e ngricave dhe garantimin e sigurisë në qarkullim.
Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat e ulëta mund të sjellin ngrica të menjëhershme në segmentet rrugore malore, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes. Për këtë arsye, drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë vetëm kur është e domosdoshme, të reduktojnë shpejtësinë dhe të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme për përballimin e kushteve dimërore.
Ndërkohë, strukturat e emergjencave dhe shërbimet rrugore mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje, ndërsa situata në akset malore të Shkodrës po ndiqet hap pas hapi.






