Ndikimi ekonomik i luftës në Ukrainë është i ashpër për aleatët e këtij vendi, tha zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska në një intervistë për BBC-në, ku shtoi se “ndërsa britanikët numërojnë qindarkat, ukrainasit numërojnë viktimat”.

Gjatë intervistës në Kiev të dielën, Olena Zelenska tha se nëse mbështetja për Ukrainën do të ishte e fortë, edhe kriza do të ishte më e shkurtër. Zelenska tha se bashkëshortin e saj Volodymyr Zelensky e takon rrallë, por flasin ditë. Zonja e parë, e martuar me presidentin ukrainas Zelensky që nga viti 2003, përcolli mesazhin që kishte për britanikët, meqenëse u intervistua nga një televizion i atij vendi, të cilët po përballen me rritjen e faturave të energjisë pjesërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe ndikimit që ky pushtim ka pasur në gazin dhe naftën globale.

“Unë e kuptoj se situata është shumë e vështirë. Por më lejoni të kujtoj se në kohën e epidemisë Covid-19, e cila është ende me ne, kur pati rritje çmimesh, u prek edhe Ukraina. Çmimet po rriten edhe në Ukrainë, por përveç kësaj, njerëzit tanë po vriten.” “Kështu që kur ju numëroni qindarkat në llogarinë tuaj bankare ose në xhepin tuaj, ne bëjmë të njëjtën gjë me viktimat tona,” tha ajo.

Komentet e Zelenska-s pasojnë sugjerimin e kryeministrit Boris Johnson gjatë vizitës në Kiev muajin e kaluar se familjet në të gjithë Evropën do të duhet të durojnë krizën e kostos së jetesës dhe të vijojnë ta mbështesin Ukrainën, duke kundërshtuar agresionin e Rusisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, norma e inflacionit parashikohet të arrijë nivelin më të lartë të 42 viteve. Banka e Anglisë tha se arsyeja kryesore për inflacionin e lartë është rritja e faturave të energjisë, të nxitura nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Vendet evropiane kanë akuzuar Rusinë – një furnizues kryesor global i energjisë – për përdorimin e gazit si armë duke kufizuar furnizimet në përgjigje të sanksioneve.