Armando Cungu do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë.


Pas shumë bisedash me kryetaren e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, Cungu ka gjetur përfundimisht akordin duke firmosur një kontratë me klubin Vllaznia. Pas një sërë eksperiencash pozitive me skuadra të tjera të Superligës si Kukësi apo Laçi tashmë Cungu rikthehet në qytetin e tij të lindjes dhe në ekipin ku u rrit dhe u zhvillua. Natyrisht që firmosja e Armando Cungu për të qenë në krye të pankinës shkodrane është një lajm i mirë, nga të paktët për Vllazninë në këto ditë të vështira. Tekniku Cungu ka zhvilluar këto ditë shumë takime me kryebashkiaken Ademi duke diskutuar mbi gjendjen e Vllaznisë por edhe të ardhmen. Nga sa mësohet shkodrani ka vendosur disa kushte nga ana e tij të cilat mesa duket janë pranuar. Kështu tenkiku i ri kërkon që të ketë një siguri për pagat e lojtarëve, skuadra të grumbullohet përpara ndeshjeve zyrtare e po ashtu të zhvillohet një merkato brenda mundësive financiare që mund të jenë. Parimisht palët kanë rënë dakord për këto kushte. Pavarësisht se Cungu ka firmosur me Vllazninë sepse lojtarët kanë braktisur seancat stërvitore për mosdhënien e pagave dhe të gjendur në këtë situatë ende nuk dihet se kur mund të prezantohet për shkak se futbollistët do vijojnë të bojkotojnë derisa të gjehet një zgjidhje për anën financiare të tyre. Bashkë me Armando Cungun, Vllaznia ka gjetur edhe zëvendëstrajnerin e ri. Vjen nga Mali i Zi dhe quhet Alexandër Mazhar. Një trajner i ri gjithashtu që ka drejtuar disa ekipe të ndryshme në shtetin fqinj. Zëvendëstrajneri është një zgjidhje e Cungut dhe do jenë sëbashku në pankinë. Mbetet për t’u parë se kë do të zgjedhë trajneri i ri i Vllaznisë për pjesën tjetër të stafit.

Artikulli paraprakMESHA E SHENJTË NË DITËN E UJIT TË BEKUAR NË SHKODËR
Artikulli tjetërVLLAZNIA BOJKOTON STËRVITJEN, S’KA PËRGJIGJE PËR PAGAT