Varianti britanik i koronavirusit ka qarkulluar në Maqedoninë e Veriut që prej muajit dhjetor. Ky lajm është konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik në këtë vend.

Mësohet se gjatë 2 muajve të kaluar në Laboratorin e virusologjisë dhe diagnostikimit molekular të tyre janë bërë sekuencionimi i 48 mostrave pozitive të përzgjedhura të Sars-Cov-2, prej të cilave në 5 raste janë gjetur gjenome të mutacionit virusal me origjinë nga Britania e Madhe.

Sipas ISHP-së 4 pacientë nga Kavadari dhe 1 nga Kumanova kanë qenë të infektuar nga varianti i ri ende pa e ditur se i njëjti është prezent në Maqedoni. Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë maqedonase njoftojnë se në 24 orët e fundit janë regjistruar dyfishi i të shëruarve në krahasim me ata të infektuarit si dhe 373 raste pozitive.