Zëvendës-ndihmëssekretari amerikan i SHBA-ve, Hoyt Brian Yee, do të jetë sot në Tiranë ku do të zhvillojë takime për të arritur një marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës, pasi kanë kaluar 3 muaj që kur opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe është vendosur në çadrën e ngritur përpara Kryeministrisë.

Vizita e Yee ka ardhur pas dështimit të negociatave që Edi Rama dhe Lulzim Basha zhvilluan me zv.presidentin e PPE-së, McAllister, më 24 prill. Duket se zyrtari i lartë amerikan do të vijë me mesazhe të qarta nga SHBA për liderët politikë në Shqipëri për zgjidhjen e ngërçit politik, por ai i dha këto mesazhe pa mbërritur ende në Tiranë. “Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve.

Deputetët që bojkotojnë Parlamentin, shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ishPresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Theodore Roosevelt, se është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë, sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”, deklaroi zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit gjatë fjalës së tij në forumin për çështjet e sigurisë të mbajtur në Malin e Zi. Ai gjithashtu theksoi se qeveritë në rajonin e Ballkanit duhet të luftojnë kundër korrupsionit.

Ndërkohë, sipas agjendës së tij, Yee pritet të jetë në Tiranë në orën 10:00. Ai do të takohet me liderët kryesorë politikë në vend, për të zgjidhur konfliktin politik mes maxhorancës dhe opozitës. Yee do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Edi Ramën, kreun e opozitës, Lulzim Bashën, por edhe me Majlinda Bregun, Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin.