Tri pikët e marra ndaj Flamurtarit, në fitoren 4-0, natyrisht që kanë lënë një shije të mirë te të gjithë, sepse më në fund u pa në fushë Vllaznia e vërtetë, por kjo fitore, në fakt ka lënë disa “pasoja” prapa. Kështu, me kartonët e marrë në këtë takim, dy prej lojtarëve titullarë të saj, mbase edhe lojtarët më në formë, mbrojtësi Stefan Cicmil dhe mesfushori Florind Bardulla, janë ndëshkuar me kartonë të verdhë.

Për rrjedhojë, ata kanë plotësuar numrin tre të tyre, duke qenë kështu të skualifikuar për takimin e radhës, me Laçin, në mesjavë. Natyrisht që ky nuk është një lajm i mirë për trajnerin Grima, sepse do t’i duhet të bëjë pa këto dy futbollistë dhe për rrjedhojë formacioni sërish do të “arnohet”. Problem është sidomos mbrojtja, sepse ka pak alternativa. Mungesa e malazezit Cicmil mund të bëjë që Marku të rikthehet sërish në qendër të mbrojtjes, për të luajtur aty bashkë me Pjeshkën, dhe në krahun e majtë të luajë Hakaj. Kjo duket zgjidhja më e mirë e mundshme për momentin, ndërkohë që mungesën e Bardullës do ta kompensojë ndoshta me aktivizimin e Haxhibuliç. Dilema ka sërish edhe për sulmuesin Soza. Me shumë gjasa, ai do të mungojë sërish. Edhe për këtë repart zgjidhja do jetë sërish si ndaj Flamurtarit, me Kalajën në majë të sulmit, i ndihmuar nga Shtubina e Çinari nga krahët. Kuptohet që vështirësia e ndeshjes është e madhe, por Vllaznia do të kërkojë sërish pikë, sepse edhe kalendarin e ka të vështirë, ngaqë në fundjavë sërish do të jetë në transfertë, këtë herë në Kukës.

Artikulli paraprakLuana shkëlqen me të kuqe
Artikulli tjetërOBAMA, HOMAZHE NDAJ VIKTIMAVE TË FRANCËS NË BATACLAN