Legjenda e Tiranës Ali Mema do të përcillet sot për në banesën e fundit, pasi ditën e djeshme u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare. Homazhet po zhvillohen në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” ndërsa miq, të afërm, por edhe politikanë po i japin lamtumirën e fundit.

Presidenti Meta e ka cilësuar si një humbje të madhe, ndërsa shton se Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-’70 dhe një prej figurave më të spikatura të trajningut, i cili ka lënë pas kontribute të jashtëzakonshme.

“Ndarja nga jeta e legjendës bardheblu Ali Mema, ish-mesfushorit virtuoz të ekipit të Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, është një humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirësit, futbollin shqiptar dhe të gjithë ne.

Ali Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-’70 dhe një prej figurave më të spikatura të trajningut, i cili ka lënë pas kontribute të jashtëzakonshme, të njohura e të vlerësuara edhe në arenën ndërkombëtare.

Emri i tij, i gdhendur me meritë me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar do të kujtohet gjithmonë, jo vetëm për autoritetin e padiskutuar në fushën e blertë, por edhe për vlerat e shkëlqyera njerëzore që rrezatonte, si frymëzim për brezat e rinj të çdo kohe.

Në këto momente hidhërimi, i shpreh përzemërsisht ngushëllimet më të sinqerta familjes Mema, të afërmve, miqve e tifozëve të panumërt të Ali Memës’ shkruan ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Ali Mema ishte simbol i besnikërisë, legjendë e përkatësisë së ngjyrave bardheblu të ekipit të kryeqytetit. ‘Kur mësova me dhimbje largimin nga jeta të Ali Memës,

ikonë e futbollit të Sportklub Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, më erdhi në mendje një shprehje që e kam dëgjuar shpesh në fëmijërinë time: “Kush ka luajtur për Tironën dhe Vllazninë, ka luajtur për gjithë Shqipërinë”.

Këtë frazë e kam dëgjuar që i vogël, në shoqëritë e lagjeve të vjetra tiranase dhe mund të them me bindje të plotë se, nëse nuk ishte shpikur, i shkonte plotësisht për shtat Ali Memës.

Ikonë e futbollit tiranas, dhe pinjoll i Dinastisë “Mema”, kësaj familjeje të madhe kryeqytetase, Ali Mema zgjon veç kujtime krenare tek kryeqytetasit, shkodranët, por edhe tek të gjithë sportdashësit e futbollit, kudo ku janë.

Ali Mema ishte simbol i besnikërisë, legjendë e përkatësisë së ngjyrave bardheblu të ekipit të kryeqytetit, por para së gjithash ishte shembull i sportistit dhe suksesit.

Trashëgimia e tij në historinë e dinastisë “Mema”, ku njëkohësisht dhanë kontributin e tyre vëllezërit Haxhiu, Beqiri e Osmani, si dhe pinjollët e tyre Sul e Ardian Mema, është shenjë se vitet e shtojnë lavdinë dhe e ndriçojnë suksesin e Ali Memës.

Kontributi i tij në suksesin e ekipit kryeqytetas të viteve ’60 është i kudogjindshëm, por është legjendar fakti se Ali Mema refuzoi të luante kundër ngjyrave të ekipit të tij të zemrës.

Tani që është mbyllur historia e tij personale, ne, fansat e kudogjindshëm dhe të pangopur për rrëfimet e sprovave të tij, kemi mundësinë të rrekemi të bëjmë bilancin e historisë së tij të pavdekshme sportive dhe qytetare që ka bërë krenar çdo shqiptar, anekënd.

Por unë kam një dëshmi personale e mund të them se shprehja “Kush ka luajtur për Tironën dhe Vllazninë, ka luajtur për gjithë Shqipërinë” është dëgjuar sa herë kemi pasur rastin të flasim për Ali Memën e papërsëritshëm në historinë e futbollit shqiptar. Sa bukur i rrin Ali Memës kjo shprehje kujtese e mirënjohje mbarëkombëtare” shkruan ai.

Ali Mema, ish-futbollisti i Tiranës dhe kombëtares shqiptare. Prej kohësh Mema vuante nga sëmundje, betejën me të cilën e humbi. Ai mbahet mend si një nga ikonat e klubit të Tiranës me të cilët ka luajtur nga sezoni 1960-1966 si dhe një aventurë të mëvonshme në vitet 1971-72.

Artikulli paraprakVRASJA E NARD POLISË, “ARREST ME BURG” PER TRE TE ARRESTUARIT
Artikulli tjetërSHËNDETI – SËMUNDJET E APARATIT URINAR