Janë prezantuar dje në Tiranë gjetjet e një sondazhi “Besimi në Qeverisje 2017”. Sondazhi është mundësuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).

Sipas sondazhit, gjykatat janë organet më të korruptuara në Shqipëri, ndërsa komunitetet fetare dhe ushtria gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve shqiptarë. Edhe pse në rënie, një besim të konsiderueshëm gëzon edhe policia.

Konkretisht, të pyetur në një pyetjeje të hapur, 21% e të anketuarve konsiderojnë Gjykatat si institucioni më i korruptuar për 2017 të ndjekura nga Qeveria (16%), Institucionet e Shëndetit Publik (14%) dhe Parlamenti (9%).

Gjetjet tregojnë se institucionet publike që gëzojnë besimin më të madh janë: Forcat e Armatosura (63%), Institucionet e Arsimit Publik (63%), Institucionet e Shëndetit Publik (53%) dhe Policia e Shtetit (53%). Prokuroria (22%), Gjykatat (21%) dhe Partitë Politike (21%) rezultojnë të jenë institucionet më pak të besuara.

Në lidhje me institucionet e tjera kombëtare, Institucionet Fetare (76%), Organizatat e Shoqërisë Civile (57%) dhe Media (54%) janë më të besuarat. Krahasuar me vitin 2016, shtatë institucione kanë shënuar rritje në besim, përkatësisht:

Qeveria (rritje me 3 pikë përqindje), Institucionet e Shëndetit Publik (rritje me 3 pikë përqindje), Institucionet e Arsimit Publik (rritje me 4 pikë përqindje), Parlamenti (rritje me 7 pikë përqindje), Forcat e Armatosura (rritje me 8 pikë përqindje), Shoqëria civile (rritje me 11 pikë përqindje) dhe Institucionet Fetare (rritje me 18 pikë përqindje).

Krahasuar me 2016, përqindja e të anketuarve që kanë besim tek bashkia e tyre qëndron e pandryshuar në 49%. Krahasuar me 2016, katër institucione kanë shënuar rënie në besim, përkatësisht: Policia e Shtetit (ulje me 8 pikë përqindje), Media (ulje me 4 pikë përqindje); Presidenti (ulje me 3 pikë përqindje) dhe Partitë Politike (ulje me 2 pikë përqindje).

Në lidhje me Reformën në Drejtësi, perceptimet për zbatimin me korrektësi të saj në praktikë vazhdojnë të jenë të ndara, me 43% e të anketuarve që besojnë se Reforma në Drejtësi do të zbatohet me korrektësi, ndërkohë që 38% besojnë të kundërtën.

Gjatë 2017, Gjykatat janë perceptuar si më të prekshme ndaj ndikimit politik (72%), ndjekur nga Prokuroria (69%) dhe Policia e Shtetit (49%).

Korrupsioni

Të dhënat e sondazhit të opinionit për vitin 2017 tregojnë se 8 nga 10 të anketuar e konsiderojnë korrupsionin e nivelit të ulët (87%) dhe të lartë (88%) si të përhapur ose shumë të përhapur në Shqipëri. Megjithatë, të dhënat tregojnë një mospërputhje të dukshme midis perceptimeve mbi përhapjen e korrupsionit dhe përvojave personale të përballjes me fenomenin.

Kur pyeten mbi përvojat personale, vetëm 21% e tyre raportojnë se kanë qenë dëshmitarë i të paktën një rasti korruptiv në qeverisjen e tyre vendore krahasuar me 15% në qeverisjen qendrore. Krahasuar me vitin 2016, për vitin 2017 shifrat e përballjes personale me korrupsionin në qeverisjen vendore janë rritur me 6 pikë përqindje, ndërsa për qeverisjen qendrore me 5 pikë përqindje.

Media

Të pyetur mbi kredibilitetin e raportimit në media, vetëm një në çdo dy të anketuar (50%) mendojnë se informacioni i dhënë nga media është i saktë dhe i vërtetë. Në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, të anketuarit kanë vlerësuar më mirë furnizimin me ujë të pijshëm (56%), shërbimet e pastrimit (57%), shërbimet e emergjencave (53%) dhe shërbimet e arsimit publik (54%).

Shërbimet publike që janë vlerësuar më pak janë shërbimet e punësimit (74%) dhe gjykatat (73%) të ndjekura nga shërbimet e shëndetit publik (57%) dhe shërbimet sociale (55%).

Sondazhi

Mbledhja e të dhënave është kryer gjatë periudhës 17-30 nëntor 2017. Një total prej 1648 qytetarësh u intervistuan në 61 bashkitë e Shqipërisë. Sondazhi i Opinionit mbështet nga PNUD Shqipëri përmes projektit “Mbështetje për inovacionin kundër korrupsionit: Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin në Shqipëri”.

Sondazhi i Opinionit 2017 “Besimi në Qeverisje” është zhvilluar për të pestin vit radhazi. Ai shqyrton perceptimin publik në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi.

Sondazhi është zhvilluar duke përdorur një metodologji, pyetësor dhe mbulim kombëtar të ngjashëm.

Artikulli paraprakOSHEE-SË I KANË BORXH GJYSMË MLD EURO, REKORDIN E MBAN SHTETI
Artikulli tjetërVLORË, PEZULLOHET LUNDRIMI NË DET SI PASOJË E MOTIT TË KEQ