Komunikonim mes tyre me skeda telefoni me një përdorim, përdornin fjalë të kriptuara e kishin në zotërim një “flotë” me automjete e kamionë të pajisur me GPS për trafikimin e kokainës së prodhuar në Amerikën e Jugut e transportimin e saj nga Hollanda drejt Italisë.

Policia italiane ekzekutoi sot operacionin e koduar “Braveheart”, që çoi në shkatërrimin e dy grupeve kriminale të përbërë nga shqiptarë e italianë.

Me urdhër të Prokurorisë së Milanos u lëshuan 11 urdhra arresti ndaj 9 shqiptarëve e 2 italianëve, mes të cilëve 3 janë shpallur në kërkim.

Hetimet e këtij operacioni kanë nisur më fund të vitit 2015 dhe gjatë “Braveheart” u sekuestruan rreth 40 kg kokainë mjaft e pastër me vlerë të paktën 4 milionë euro.
“Cilësia e kokainës së sekuestruar është në pastërti 92% që dëshmon prejardhjen e saj nga kanale trafiku të jashtëzakonshme,”-informoi prokurori i hetimeve Luigi Luzi.

Kokaina e prodhuar në Amerikën e Jugut blihej në Amsterdam e transportohej me automjete e kamione drejt Italisë.

Trafikantët e arrestuar jetonin në rrethinat e qyteteve të Milanos, Bergamos e Breshias.
Dy grupet e trafikantëve vepronin në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin, njëri grup kontrollonte zonën Greco Turro të Milanos e për trafikimin e kokainës përdorte automjete të modifikuar enkas për fshehjen e drogës.

Ndërsa grupi i dytë ia besonte trafikimin e kokainës shoferit shqiptar të një kamioni si dhe korrierëve italianë në moshë mbi 50 vjeç e sipër.

Për të komunikuar mes tyre dhe organizuar trafikimin e kokainës, ata përdonin skeda telefoni me një përdorim, e fjalë të kriptuara me 10 gërma pas të cilëve vinte gjithmonë një numër.

Një prej mesazheve në kod të përdorura nga trafikantët ishte fjala “Berlusconi”.
Operacioni u kodua “Braveheart” pasi dhe pas sekuestrimit të parë të drogës, trafikantët u riorganizuan e rinisën aktivitetin e tyre duke dëshmuar fuqi ekonomike e kurajo.

Sot gjatë ekzekutimit të urdhër arrestimeve janë sekuestruar dhe 13 kg hashash e 2 kg kokainë.

Artikulli paraprakKAPET ITALIANI I SHUMËKËRKUAR PËR TRAFIK TË LËNDËVE NARKOTIKE
Artikulli tjetërZBRESIN NGA KAMIONI, NË MES TË RRUGËS 4 SHQIPTARË, KËRKOJNE AZIL NË IRLANDË