Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për Teatrin Kombëtar. Presidenti Meta ka dekretuar kthimin për shqyrtim të dekretit. Sipas Presidentit, ligji shkel parimet e barazisë dhe nuk është në harmoni me parimet kushtetuese.

Ligji cënon parimet e Konventës evropiane të trashëgimisë kulturore, thuhet mes të tjerave në njoftim. Nga ana tjetër, PS ka paralajmëruar përmes kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, rivotimin e ligjit në muajin shtator.

Presidenti Meta ka renditur 9 pika sipas të cilave, projektligji për teatrin duhet rishqyrtuar në parlament. Presidenti ka ngritur si shqetësim edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Pak orë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha paralajmëroi presidentin Ilir Meta se në rast se do dekretonte ligjin në heshtje, atëherë do të ishte pjesë e asaj që Basha e quajti “grusht shteti”.

Shkelja e të gjithë mekanizmave ligjorë, dekretimi në heshtje është pjesëmarrje në grusht shteti.

E kam fjalën për cdo instancë që bëhet pjesë e kthimit të parlamentit në një Rajshtag të sitlit hitlerian e merr pushtete që nuk ia jep Kushtetuta. Nëse kjo vijë e kuqe shkelet ne jemi de fakto në gjendje lufte civile“- u shpreh Basha në një bashkëbisedim me gazetarët.

Ditën e djeshme, një grup i gjerë artistësh i drejtuan një peticion Presidentit Ilir Meta, ku i bënin thirrje të dekretonte ligjin për Teatrin. Pas vendimit të Presidentit Meta, ligji pritet të kthehet për diskutim në komisionet parlamentare, e më pas të kalojë sërish për rivotim në parlament.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të opinionit publik,

Presidenti i Republikës bën me dije se sot më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt:

Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, mbështetur në argumentet e më poshtme:

1. Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

2. Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.

3. Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

4. Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

5. Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

6. Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.

7. Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

8. Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.

9. Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore,

ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Meta ktheu ligjin për Teatrin, vjen reagimi i parë nga PD: Vendim racional dhe i përgjegjshëm

Deputeti i PD, Tritan Shehu, e ka konsideruar vendim racional dhe të përgjegjshëm nga presidenti Ilir Meta, kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për Teatrin Kombëtar.

Sipas Shehut, ligji i miratuar vetëm nga maxhoranca varfëron trashëgiminë kulturore dhe largon Shqipërinë nga Europa.

Reagimi i Tritan Shehut:

Nje vendim racional e i pergjegjshem i Presidentit Meta, shume mire i argumentuar ky, per te kthyer ne Kuvend ligjin arbitrar, klientelist,

qe godet vlerat tona kombetare, vecanerisht ato te lidhura me trashegimine Perendimore e Italiane, fatkeqesisht dhe aktualisht te paketa keto ne vendin tone.

Nje ligj ky qe jo vetem na largon nga Europa per varferimin e ketyre trashegimive, por edhe pse bije ndesh me parimet e BE, te pranuara nga ne.

Debati perseri eshte i hapur tashme!

Kthimi i ligjit për Teatrin, Vokshi: Deputetët e PS të refuzojnë urdhrat e Ramës

Deputetja e PD, Albana Vokshi përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, është shprehur se përgëzon Presidentin Ilir Meta që ktheu ligjin e shembjes së Teatrit Kombëtar, që është ligji i korrupsionit qeveritar.

Ushtrimi i përgjegjësive kushtetuese nga Presidenti. Ilir Meta dhe argumentimi i plote i bërë në dekretin presidencial të refuzimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, janë një dëshmi tjetër që veprimi i Edi Ramës ishte dhunim flagrant i Kushtetutës.

Kjo tregon rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga veprimet antikushtetuese, arbitrare dhe korruptive të Qeverisë, dhe pasojat që mund të sjellë mungesa e gjatë e Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Vokshi në faqen e saj në Facebook.

Reagimi i Albana Vokshit

Ushtrimi i përgjegjësive kushtetuese nga Presidenti z. Ilir Meta dhe argumentimi i plote i bërë në dekretin presidencial të refuzimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, jane një dëshmi tjetër që veprimi i Edi Ramës ishte dhunim flagrant i Kushtetutës.

Kjo tregon rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga veprimet antikushtetuese, arbitrare dhe korruptive të Qeverisë, dhe pasojat që mund të sjellë mungesa e gjatë e Gjykatës Kushtetuese.

Veprimi i Presidentit të Republikës, meriton të përshendetet!

Gjej rastin të falenderoj edhe njëherë te gjithë artistët, aktivistët dhe organizatat ndërkombëtare qe ju bashkuan qëndresës për të mbrojtur Teatrin Kombëtar,

ndërtesën unike me vlera të jashtëzakonshme në Trashëgiminë Kulturore Europiane, si dhe për të ndalur grabitjen e pronës publike për qëllime korruptive.

I bëj thirrje deputeteve socialist të reflektojnë dhe lexojnë me vëmendje Dekretin e Presidentit, si dhe të heqin dorë e të mos i nështrohen urdhrit mafioz të Edi Ramës, por të mbrojnë trashëgiminë kulturore, pronën publike dhe interesin publik.

Qëndresa duhet të vazhdojë derisa ky ligj të varroset perfundimisht. Unë do të jem atje në shesh me qytetarët derisa kjo të ndodhë.

Teatri i Ri/ Veliaj: Vendimi i Metës një zhgënjim, por në shtator rifillon puna

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilëson zhgënjim vendimin e Presidentit Meta për të kthyer ligjin që do t’i jepte Tiranës një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës, si danezi Bjarke Ingels.

Në një postim në Facebook, Veliaj thotë se pavarësisht kësaj, puna do të rifillojë në shtator me miratimin e ligjit në Parlament dhe se Tirana do të ketë më në fund një Teatër të ri modern Kombëtar, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Bashkia.

Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern – në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit. E mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe!“, shkruan Veliaj.

Komenti i plotë:

Kthimi nga Presidenti i Ligjit që do t’i jepte Tiranës tonë një Teatër të Ri, modern, i projektuar nga një prej arkitektëve më në zë të gjeneratës sonë, ishte një zhgënjim! Jo sepse Presidentët, në të kaluarën,

nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re,

e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend.

Teatri i sotëm në kryeqytet, me kryetarë bashkish nga Kamza e Shkodra, që kanë probleme serioze me funksionimin qyteteve të tyre, mund të na ishte kursyer. I ngjan protestuesve të importuar nga ish presidenti për Këndin e Lodrave.

Të gjithë e dimë si përfundoi ajo betejë: Presidenti u diskreditua në histori si një noter partiak. Kurse, ultimatumi prej kalamani të SHQUP-it nga ish gjumashi i bashkisë së Tiranës, nuk do kalonte dot as një audicion për teatër kukullash.

Skenar i qepur keq në parapritje të refuzimit të ligjit, që fyen inteligjencën e kujtdo që i thotë vetes qytetar.

Por, vendimi i sotëm solli një dobi sepse ndau qartazi palët në Tiranë. Ata që shkatërruan Zogun e Zi apo Sheshin Skënderbej para një dekade, janë po ata sot.

Të gjithë bashkë kundër zhvillimit. Lajmi i mirë është se, pala tjetër – shumica e arsyeshme – është sot më kompakte dhe më e bashkuar se kurrë.

Aktorë, regjisorë, qytetarë e progresistë kanë parë se veç me punë, pasion e përkushtim ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë e ta kthejmë Tiranën në stolinë moderne të kombit tonë.

Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern – në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit.

E mira, e bukura dhe e drejta, herët a vonë, triumfojnë; është vetëm çështje kohe! Koha humbur është e vetmja dhimbje që kemi në këtë banalitet politik sepse për ne çdo minutë vlen shumë,

ndërsa për ata që kanë vrarë dekada të tëra kohë shqiptare, koha është vetëm një mjet për të na penguar.

Sidoqoftë, ne nuk do t’i humbasim këto dyzetë ditë, por do bashkëpunojmë me komunitetin teatror që të jemi gati sapo të kalojë ligji. Shumë faleminderit të gjithë përfaqësuesve të denjë të atij komuniteti,

për peticionin dërguar Presidentit dhe të gjitha autoriteteve e partive parlamentare. Teatri i Ri Kombëtar tanimë ka nisur të marrë jetë dhe së bashku, ne do ta ndërtojmë për nderin e një kombi të tërë. Për kënaqësinë e një populli të tërë.

Për dinjitetin e një komuniteti të tërë. Për Shqipërinë dhe Tiranën që duam!

Forca! Bashkë!

PS kundër Metës për Teatrin, Balla: Do ta rivotojmë ligjin, Presidenti mbajti gjallë farsën e opozitës

Partia Socialiste reagon për herë të pas kthimit të ligjit për Teatrin nga Presidenti Ilir Meta. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla thotë në një reagim të shpërndarë për mediat se maxhoranca do ta rivotojë ligjin në shtator.

Sipas tij, me kthimin e dekretit Meta mbajti gjallë farsën e opozitës për Teatrin, duke iu përgjigjur, shton Balla, thirrjeve të Lulit dhe Monës për të mos dekretuar ligin i cili në vetvete parashikon ndërtimin e një Teatri të Ri Kombëtar.

Balla nuk i kursen vlerësimet për Metën si president mbi palët, por deri në momentin kur nuk ishte shprehur për ligjin e Teatrit.

Deklarata e Ballës:

Ne 21 janar 2011, Lulzim Basha Minister i Brendshem dhe Sali Berisha Kryeminister akuzonin protestusit dhe opoziten per grusht shteti. Sot, 7 vjet me pas, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi,

qe te dy ne opozite, akuzojne shumicen qeverisese per grusht shteti. Me nje gjuhe qe nuk ka asnje lidhje me aspiratat Europiane te Shqiperise se vitit 2018, kreu i opozites kercenoi sot me ruspa e dinamit sipermarresit shqiptare dhe arkitektet e huaj.

E gjithe kjo sjellje pritej, qofte nga Luli, qofte nga Mona. I kishim degjuar edhe me pare klithmat e tyre te deshperuara, si ne rastin e parkut te lodrave, si ne rastin e stadiumit kombetar, si ne shume e shume episode te tjera te opozites se tyre shterpe.

Fatkeqesisht sot thirrjeve te Lulit e Mones iu pergjigj Presidenti i Republikes. I cili, deri me sot, ka patur nje sjellje te admirueshme, duke mos u bere pale as e politikave te familjes se tij, as e kauzave te partise se tij.

Sot, Presidenti zgjodhi te mbaje gjalle farsen e opozites me teatrin. Te po te njejteve individe qe protestonin kunder parkut te lodrave, kunder bulevardit te ri, kunder Rilindjes Urbane ne cdo qytet te Shqiperise.

Ai qe jave me pare i bente thirrje autoriteteve shteterore te gjenin gjuhen me artistet sa i takonte projektit te teatrit, sot vendosi kunder vullnetit te artisteve, duke mbeshtetur kauzen e opozites.

Shumica parlamentare, ne mbeshtetje te dekretit te Presidentit dhe Kushtetutes, do te rivotoje projektligjin ne fjale menjehere sapo Parlamenti te rimblidhet ne shtator. Per t’i dhene shqiptareve dhe artisteve te teater te ri, modern dhe dinjitoz.