Reshjet e dëborës të nisura 24 orë më parë vijojnë të dominojnë vendin tonë. Qarqet më të prekura janë Dibra, Kukësi, Korça dhe Shkodra ku raportohet për disa zona të bllokuara.

Në të gjithë vendin, është ndërprerë procesi mësimor në 280 shkolla . Zonat rurale të Qarkut të Dibrës janë izoluar nga trashësia e dëborës dhe ngricat në rrugë. Në zonat e thella dhe ato malore, trashësia e dëborës në Dibër arrin deri në 120 cm.

Në Shkodër reshjet e borës janë rikthyer mëngjesin e sotëm dhe raportohet për vështirësi në lidhjen mes fshatrave të Bashkisë së Pukës për shkak të bllokimit të rrugëve.

Në Bashkinë Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi. Kukësi gjithashtu është një prej qarqeve më të prekura ku rezultojnë të bllokuara disa njësi administrave. Trashësia e borës në qytetin e Kukësit arrin 35 cm, në Krumë dhe Tropojë 40 cm.

Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht ndryshe nga mbrëmjen e kaluar kur u bllokua për shkak të borës dhe ngricave për rreth 4 orë me radhë.

Reshjet e dëborës kanë rinisur edhe në Qarkun e Korçës të shoqëruara me temperatura të ulëta. Në aksin kryesor Qafë Thanë – Dogana Kapshticë qarkullimi kryhet pa zinxhire.

Ndërsa në zonat rurale si Vithkuq, Lekas, Dardhas, Velçan dhe Mokër rrugët janë të bllokuara. Në Devoll problematike ngelet aksi Miras – Arrëz pasi debora ka arritur 70 cm dhe është rrugë e pakalueshme.

Artikulli paraprakNË NJË VIT, NË ITALI KANË LINDUR RRETH 10 MIJË FËMIJË SHQIPTARË, SA 1/3 E ATYRE NË SHQIPËRI
Artikulli tjetërZOGAJ, BORA BLLOKON RRUGËN, RRËZOHET AUTOBUSI