10 zyrtarë mes të cilëve kryepleqë dhe administratorë njësish janë arrestuar apo proceduar penalisht që nga qershori i 2016-ës çka ka bërë që shumë prej tyre të jenë të gatshëm të lënë detyrën siç deklaruan në takimin e fundit me policinë dhe drejtues të bashkisë Shkodër.

Nga statistikat, tre prej tyre u arrestuan në 2016-ën ndërsa 7 të tjerë gjatë këtij viti. Në qershor të vitit të kaluar një kryeplak në Pukë Gjergj Pergjergjaj ishte i pari që u arrestua për një sasi lëndësh narkotike të gjetura atje. Më pas ishte radha e valës së arrestimeve në Shkodër.

Në pranga ranë Ndue Kopshtaj kryeplak në fshatin Kir të Dukagjinit dhe bashkë me të edhe administratori i njësisë Pult të Dukagjinit Tom Marku. Ky i fundit u lirua pas seancave gjyqësore të zhvilluara. Në 28 shkurt të këtij viti policia e Shkodrës dhe prokuroria njoftojnë për një aksion madhor në të cilin u arrestuan 18 persona të akuzuar se kanë lidhje me kultivimin e afro 100 mijë rrënjëve cannabis sattiva gjatë 2016-ës në fshatrat e Dukagjinit.

Ndër të arrestuarit janë edhe dy kryepleqtë Dritan Lisaj dhe Gjin Lushi. Një tjetër aksion u zhvillua në Gurin e Zi ku policia asgjesoi 87 fidanë. Policia procedoi në gjendje të lirë administratorin Pjerin Marku dhe bashkë me të edhe ish-kryeplakun Kolë Marku. Me 19 prill policia shpall në kërkim kryeplakun e fshatit Xhaj në Malësinë e Madhe Rrok Ducaj.

Edhe pse prej 1 viti ka dorëzuar vulën dhe ndodhet në Itali, 61 vjeçari është person i shpallur në kërkim për 168 fidanë të asgjesuar në një zonë pyjore. Një ditë më pas, me 20 prill administratori i njësisë Shalë në Dukagjin Petrit Arra u procedua në gjendje të lirë sepse policia asgjesoi 540 rrënjë bimë narkotike në Gimaj.

Dy rastet e fundit janë me 22 prill ku 106 fidanë u gjetën në një ishull në lumin Buna dhe u proceduan në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Zues njësia Rrethina dhe kryeplaku i Bërdicës së Mesme Baki Dani. Irritimi i kryepleqve ndaj policisë vjen pasi në shumë pak raste arrestohen autorët e vërtetë të cannabisit, ata që e kultivojnë apo kapo-bandat që drejtojnë këtë biznes i cili vazhdon të sjellë fitime të konsiderueshme, para të cilat qarkullojnë në tregun e zi apo investohen në mënyrë fiktive për të humbur gjurmët.

Artikulli paraprakDIGJITALIZIMI I ARKIVËS NË BASHKI
Artikulli tjetërSTARTON EDICIONI I 16-TË I “ÇMIMI PJETËR GACI”