Vetëm 24 orë janë dashur që zhurma e qytetit të rikthehet sërish. Rrugët që në 1 janar qëndruan të zbrazura u tejmbushën përsëri duke bërë që Shkodra t’i kthehet normalitet duke filluar kështu nën ritme të qeta vitin e ri 2017-të.

Në 2 janar, si fillim viti fytyrat janë të buzëqeshura ndërsa kudo njerëzit janë miqësor. Urojnë këdo, të njohur dhe të panjohur për një vit me më shumë suksese e mbarësi. Lëvizjet janë të shumta teksa një pjesë vrapojnë për të kapur orarin e punës e ndërsa pjesa tjetër për të përmbyllur vizitat që ende janë një traditë në Shkodër. Jo vetëm bulevardet e sheshet kryesore por edhe zona të tjera periferike në ditën e dytë të vitit kanë gjallëri, më shumë zhurmë dhe jeta që vazhdon rrugëtimin e saj në kohën që nuk mund të kthehet pas. Në vend të pushimit apo festës që për disa zgjat më shumë se dy ditë, pjesa më e madhe e dyqaneve, të mëdha apo të vogla qofshin kanë ngritur qepenat për të pritur klientët e parë të 2017-ës dhe për ta nisur mbarë, me arkën plot në fund të ditës. Viti që sapo kaloi nuk ishte shumë i mirë ekonomikisht për bizneset e mëdha dhe të vogla ndaj ditët e festës për ta jo vetëm se janë më pak por shfrytëzohen për të shitur sa më shumë. Të paktë janë dyqanet që kanë vendosur një pushim më të zgjatur. Në akset e qytetit nuk mungon gumëzhitja e automjeteve por jo aq sa në ditët e fundvitit. Trafiku i rënduar që shoqëroi 31 dhjetorin i ka lënë vendin qarkullimit normal. Nuk kanë munguar forcat e policisë duke vijuar misionin e tyre por në 2 janar shumë më pak se në natën e ndërrimit të viteve. Koha për të pushuar pas një viti të lodhshëm dhe me ngarkesë pune edhe për policët. Një vit ikën dhe një tjetër vjen ndërsa nuk ka shumë për të treguar. E qetë apo e zhurmshme Shkodra është e njëjtë, me shumë probleme e më pak shpresë pret një vit në të cilin nuk pret surpriza!  

Artikulli paraprakMURIQAN, U SHTUA FLUKSI NË DY DITËT E FUNDIT
Artikulli tjetërZJARR NË NJË BANESË, SHPËTOJNË FAMILJARËT