Pas dy javësh, besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë Kurban Bajramin. Njëra prej dy festave islame më të rëndësishme. Gjatë kësaj periudhe, besimtarët i drejtohen pelegrinazhit të Haxhit në Mekë dhe Medinë.

 

Janë 48 shkodranë dhe 10 nga Malësia e Madhe për këtë vit që janë nisur pasditen e së martës në plotësimin e njërës prej pesë shtyllave të islamit. Këtë vit, së bashku me besimtarët shkodranë udhëton drejt Mekës edhe myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.

 

Sytari tha se shqiptarëve u mjafton historia e pengesës së besimit për vite me radhë për t’a respektuar atë sot. Myftiu i Shkodrës, ndër të tjera tha se haxhilerët janë përgjigjja më e mirë se shoqëria shqiptare nuk është shoqëri laike, por e besimit dhe zotit.

 

Nisja e haxhilerëve shkodranë u bë nga xhamia e Parrucës në Shkodër. Çmimi në total it ë gjithë paketës së Haxhit për këtë vit është 3500 euro, me një rritje prej 500 eurosh nga një vit më parë.

 

I gjithë organizimi i udhëtimit të haxhit bëhet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili fillon regjistrimet që në muajt e parë të pranverës.

 

Artikulli paraprakLOJTARËT E KUKËSIT MBETEN PA VIZA, KLUBI KËRKON ZGJIDHJEN E SITUATËS
Artikulli tjetërURA E MESIT PRITET TË NDRIÇOHET