Pas orëve të gjata diskutimesh Kuvendi miratoi reformën e re administrativo-territoriale me 85 vota pro. Varianti i mazhorancës synon të krijojë njësi vendore më të mëdha dhe financiarisht më të qëndrueshme, me reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, por raporti përfundimtar i Komisionit Parlamentar evidenton se bashkimi territorial nuk mjafton për të garantuar shërbime më të mira. Reforma kërkon ndryshime të thella në shpërndarjen e kompetencave, financimin e pushtetit vendor dhe organizimin rajonal. Ndërkohë, opozita propozoi një model të kundërt, me mbi 92 bashki, duke argumentuar se pushteti vendor duhet të jetë më afër qytetarëve.

Sipas reformes se re 15 bashki do të humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore, duke iu bashkuar bashkive më të mëdha fqinje. Reforma mbështetet në synimin për të ulur kostot administrative, për të përqendruar burimet financiare dhe për të rritur kapacitetet e bashkive për të ofruar shërbime publike. Pas miratimit, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosit me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën.

Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Në qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.

Qëllimi është krijimi i njësive më të mëdha, të afta për të menaxhuar një territor dhe një bazë më të gjerë ekonomike. Bashkitë që shkrihen nuk do të kenë më drejtim politik dhe buxhet të pavarur, por do të administrohen nga strukturat e bashkive përkatëse. Një nga çështjet kryesore mbetet nëse përqendrimi i administrimit do të shoqërohet me ruajtjen e aksesit në shërbime për komunitetet që humbasin bashkinë e tyre./Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprak“S’BËHEN ‘HESAPE PA HANXHINË’ ME PS”/ HARTA E RE TERRITORIALE, REAGON RAMA: SHTYSË MODERNIZUESE PËR VENDIN, U ZBULUAN EDHE DUART E PISTA
Artikulli tjetërJARED KUSHNER: JA E VËRTETA PËR PROJEKTIN E ZVËRNECIT! NËSE MIRATOHET SHQIPTARËT DO JENË KRENARË