
Në një reagim sqarues ndaj disa artikujve të publikuar në mediat e majta amerikane, Jared Kushner i jep fund spekulimeve mbi projektin e Zvërnecit dhe tregon se si personalisht është i angazhuar për të krijuar dicka të veçantë për zonën, duke garantuar ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin masiv të ekonomisë së vendit.
Ai hedh poshtë pretendimet e pavërteta se toka është falur nga qeveria shqiptare, duke sqaruar se ajo është blerë përmes një transaksioni privat sipas legjislacionit në fuqi, në shumën 230 milionë euro, që e rendit këtë ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një transaksion të këtyre përmasave.
Ai ndalet te mjedisi dhe thekson se zhvillimi do të jetë sipas standardeve më të larta duke e lënë këtë pjesë të mrekullueshme të Shqipërisë më të gjelbër dhe me më shumë biodiversitet.
Përgjatë reagimit, Kushner shpreh vlerësim të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke theksuar besimin e tij në potencialin ekonomik dhe turistik të vendit. Ai e paraqet investimin si një angazhim afatgjatë, që, nëse realizohet me sukses, mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro, duke krijuar vende pune, aktivitet ekonomik dhe mundësi të reja zhvillimi.


