
Pedonalja e Bashkisë Vau Dejës u kthye në një hapësirë takimi mes punëkërkuesve, bizneseve dhe institucioneve, në kuadër të Panairit të Punës dhe Karrierës, organizuar nga Këshilli i Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës, Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Në fjalën e tij kreu i qarkut Edmond Ndou theksoi se ky aktivitet synon të krijojë mundësi të reja për punësim, orientim profesional dhe zhvillim karriere, duke afruar qytetarët, veçanërisht të rinjtë dhe të rejat, me bizneset dhe institucionet që ofrojnë mundësi konkrete punësimi.
Panairi shërbeu si një platformë komunikimi dhe bashkëpunimi, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me ofertat e punës, kërkesat e tregut dhe mundësitë për zhvillimin e aftësive profesionale.
Panairi i Punës dhe Karrierës, i kthyer tashmë në traditë, synon të forcojë lidhjet mes kërkesës dhe ofertës për punë, duke krijuar më shumë hapësira për punësimin e të rinjve dhe zhvillimin profesional të tyre.


