
Armir Grima është zgjedhur kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, duke marrë drejtimin e këtij institucioni pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Lazër Matija. Asambleja e Jashtëzakonshme Zgjedhore u zhvillua këtë të premte në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa drejtuesi i ri mori votëbesimin e 20-shoqatave. Në fjalët e tij, Armir Grima tha se kjo detyrë e re është njëherësh kënaqësi dhe përgjegjësi për të.
Grima tha se prioritetet dhe objektivat e tij në detyrën e re janë rritja e numrit të fëmijëve dhe përmirësimi i infrastrukturës sportive, edhe pse kjo e fundit nuk mbetet e lehtë.
Armir Grima është një emër i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar, teksa ka një karrierë të gjatë si futbollist, drejtues dhe trajner. Ai ka qenë për shumë vite në krye të Kombëtares shqiptare të femrave, me të cilën arriti edhe kualifikimin historik në fazën play-off të Botërorit 2027. Zgjedhja në postin e drejtimit të futbollit rajonal të Shkodrës shënon një etapë të re në karrierën e tij sportive.


