
Një informacion i pavërtetë mund të dëmtojë imazhin e dikujt, të krijojë panik apo të ndikojë në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë realitetin. Në një kohë kur Inteligjenca Artificiale e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes asaj që është reale dhe asaj që është e manipuluar, nxënësit e shkollës së mesme “Jordan Misja” u përballën me këto sfida përmes artit skenik. Drama “Kur gënjeshtra vishet si e vërtetë”, me regjinë e Astrit Fanit, u ngjit në skenë për t’i bërë të rinjtë e shkollës “Jordan Misja”, të reflektojnë mbi pasojat e dezinformimit dhe rëndësinë e verifikimit të informacionit përpara se ta besojnë apo ta shpërndajnë atë.
Drejtorja e shkollës “Jordan Misja”, Blediana Nika, vlerëson rëndësinë e nismave që i ndihmojnë nxënësit të përballen me sfidat e kohës dhe të përdorin teknologjinë në mënyrë të përgjegjshme.
Historia e sjellë në skenë mbështetet në një ngjarje reale të ndodhur disa vite më parë, duke treguar se informacioni i rremë mund të ketë pasoja konkrete në jetën e njerëzve. Aktorët e rinj përcollën për bashkëmoshatarët e tyre mesazhin se çdo informacion kërkon vëmendje dhe gjykim kritik.
Kjo dramë, është pjesë e projektit “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe Artit Skenik për Luftimin e Dezinformimit”, i zbatuar nga organizata Edu Media, financuar nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, AMSHC.


