
Kontrolli i qarkullimit rrugor në Shqipëri pritet të hyjë në një fazë të re teknologjike nga 1 janari, përmes aktivizimit të radarëve inteligjentë dhe pajisjeve të avancuara të mbikëqyrjes në 14 akse rrugore që shtrihen në një gjatësi prej afro 200 kilometrash. Në listen e akseve të përzgjedhura janë segmentet që lidhin Tiranën me Durrësin, Elbasanin, Fierin dhe Vlorën. Monitorimi do të shtrihet gjithashtu në rrugët lidhëse në zonat e Kavajës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.
Ndërsa rrugët në veri të vendit megjithëse kanë një fluks të lartë lëvizjesh nuk do të pajisen në fazën e parë të ketij projekti me radar inteligjent. Policia e Shtetit ka nisur trajnimet e efektivëve që do të punojnë pranë Qendrës së Monitorimit të Trafikut, ku shkeljet do të evidentohen përmes teknologjisë pa praninë e patrullave fizike në terren.
Sistemi i ri do të përdorë kamerat me rreze aktive, sensorët dhe radion për të regjistruar shpejtësinë, pozicionin, kohën dhe përmasat e automjeteve në kohë reale. Projekti shoqërohet gjithashtu me një trajtim të ri financiar për efektivët e angazhuar në këtë strukturë, pagat e të cilëve pritet të arrijnë deri në 1800 euro.
Faza e parë prej 200 kilometrash do të shërbejë si pikënisje për zgjerimin e mëtejshëm të sistemit të monitorimit inteligjent edhe në akse të tjera kombëtare.


