
Shfaqja “Si ne të dy”, me interpretimin e aktorëve Alfred Trebicka dhe Luiza Xhuvani, u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”. Vepra, e bazuar në “Lojë Martese” të dramaturgut Edward Albee, sjell në skenë marrëdhënien në çift, konfliktet dhe sfidat e jetës bashkëshortore, përmes një ndërthurjeje mes humorit dhe emocioneve. Në përfundim të shfaqjes, aktori Alfred Trebicka vlerësoi veçantinë e interpretimit në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke u ndalur te historia dhe tradita e këtij institucioni artistik.
Pjesë e programit të natës përmbyllëse të festivalit është edhe aktori Muharrem Hoxha, një prej figurave të njohura të humorit shqiptar. Ai u ndal te vështirësitë me të cilat është përballur humori ndër vite, si dhe sfidat që vazhdon të ketë ky zhanër artistik.
Festivali Mbarëkombëtar i Humorit “Tano Fest” do të përmbyllë këtë edicion me “Natën e Yjeve”, ku në skenën e Teatrit “Migjeni” do të ngjiten artistë të njohur të humorit shqiptar, në një mbrëmje që shënon finalen e disa netëve kushtuar artit dhe të qeshurës.


