Te Vllaznia kohët e fundit janë provuar disa portierë nga vende të ndryshme të Europës, por ndër ta, më shumë ka bindur malazezi 25-vjeçar, Jasmin Agoviç.

Në këtë konkluzion kanë dalë pjestarët e stafit teknik të skuadrës shkodrane dhe, pasi është biseduar edhe me drejtuesit e lartë të klubit, është rënë dakord që atij t’i ofrohet një kontratë. Kjo gjë i është bërë ditën e sotme dhe tashmë pritet vetëm marrja e OK-it përfundimtar nga ana e portierit malazez. I gjatë 1 metër e 90 centimetra, Agoviç pritet të jetë një blerje e rëndësishme e Vllaznisë, megjithëse për momentin duhet të fitojë duelin me portierin shkodran, Erind Selimaj, i cili po ashtu ka edhe ai egon e të qenurit titullar. Gjithsesi, për momentin duhet pritur firma në kontratë e portierit nga Podgorica, për ta quajtur përfundimisht pjesë të ekipit shkodran. Por, përveç tij, drejtuesit e Vllaznisë janë shumë pranë akordit edhe me një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për kosovarin Ylli Hoxha. Trajneri Cungu e njeh mirë atë, ngaqë e ka patur “nën armë” te Kukësi, ku është dalluar për çfarë ka treguar në fushën e lojës. Kontaktet kanë nisur dhe ditët e fundit janë shpeshtuar. Vetë lojtari ka pranuar për mediat kosovare se është shumë pranë akordit me skuadrën kuqeblu dhe kjo do të thotë se ditën e nesërme ai mund të jetë në Shkodër për të hedhur firmën në kontratë. Skuadra, kësisoj, po nis të marrë formën e duhur, megjithëse i duhen edhe lojtarë të tjerë, një në mbrojtje, një në qendër të mesit të fushës, por edhe të paktën një sulmues. Vetëm pasi të bëhen edhe këto blerje, atëherë mund të themi se Vllaznia është gati për kampionatin e ri.

Artikulli paraprakLUMENJTË DHE LIQENI ME PROBLEME, PUSHUESIT TË BËJNË KUJDES
Artikulli tjetërVLLAZNIA – DEÇIÇ, TË MËRKURËN NË SHKODËR MIQËSORJA