Byroja Kombëtare e Hetimit nis sot zyrtarisht punën! Me anë të një mesazhi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, e ka cilësuar marrjen e detyrës në krye të BKH, të Aida Hajnës si një hap shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, por edhe për rolin e gruas. SHBA vlerëson profesionalisht Hajnaj si drejtuesja e parë në këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë, teksa liston sprovat që ka kaluar për të mbërritur në majën e FBI-së shqiptare.

“Sot, zj. Aida Hajnaj, merr detyrën si drejtuesja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky është një gur i rëndësishëm kilometrik, jo vetëm për sistemin shqiptar të drejtësisë, por gjithashtu për gratë në role drejtuese.

Në përputhje me kërkesat e ligjit shqiptar, Hajnaj përfundoi një program trajnimi posaçërisht të krijuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP) në Shqipëri, të fokusuar në procesin përzgjedhës të hetuesve të BKH, në etikën profesionale në BKH, në procedurat e disiplinës në BKH, në përdorimin e forcës dhe armëve të zjarrit nga BKH,

rregulloren mbi përdorimin e poligrafit në BKH, në marrëdhëniet e BKH me Policinë e Shtetit dhe mbi rolin vëzhgues të Komisionit Ndërkombëtar të BKH. Ne përgëzojmë Shqipërinë për marrjen e një hapi më tej drejt drejtësisë që shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë”, shkruhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së. Kështu FBI-ja shqiptare, me miratimin e KLP-së, do të drejtohet nga zëvëndës drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Hajnaj mori detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Aktualisht në SPAK që prej krijimit janë 180 kallëzime dhe procedime penale të regjistruara për korrupsion nga zyrtarët e lartë si dhe krime të rënda. Këto dosje pritet të ndiqen nga oficeret e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Artikulli paraprakPUBLIKOHEN FORMACIONET/ TIRANA KËRKON ”HAKMARRJE” NDAJ TEUTËS NË SUPERKUPË
Artikulli tjetërDIELLI DO RIKTHEHET SHUMË SHPEJT…MËSONI PARASHIKIMIN E MOTIT PËR DITËN E SOTME