Policia e Shkodrës jep detaje të reja për Nikë Hasanin, 74-vjeçarin që humbi jetën teksa u gjend i pajetë në shinat e trenit.

Policia vijon që të ketë dyshime të forta se i moshuari është përplasur nga treni i inerteve pasiten e së dielës. Forcat e policisë përmes një deklarate për shtyp bëjnë me dije se janë arrestuar një mashinist dhe një ndihmës mashinist të dyshuar se kanë aksidentuar shtetasin Nikë Hasani që u gjet i vdekur. Policia bën me dije se “në lidhje me aksidentin e ndodhur në afërsi të stacionit të trenit ku humbi jetën shtetasi Nikë Hasanaj, nga shërbimet e komisariatit të policisë Shkodër, u ndaluan shtetasit: Brahim Ruçi, 58 vjeç, banues në Shkodër mashinist treni dhe Jul Brraka, 55 vjeç, banues në Shkodër ndihmës mashinist. Ndalimi i tyre u bë pasi duke drejtuar trenin e mallrave të linjës Mjedë – Bajzë, në lagjen “Tre Heronjtë”  në vendin e quajtur “Ura e trenit e lumit Kir” në Shkodër,  dyshohet se kanë aksidentuar për vdekje shtetasin Nikë Hasanaj”. Dy mashinistët akuzohen për “shkelja e disiplinës së punës në transportin hekurudhor”. Dy mashinistët nga burime pranë policisë bëjnë me dije se janë shoqëruar fillimisht pak çaste pasi është evidentuar trupi i pajetë i viktimës dhe më pas është bërë edhe ndalimi i tyre. Burime pranë policisë shprehen se dy mashinistët e dyshuar kanë deklaruar se nuk kanë parë asnjë person gjatë kohës kur treni i linjës Mjedë-Bajzë po lëvizte. Kanë deklaruar se kanë respektuar me rigorozitet rregulloren dhe në rast se do të kishin vërejtur 74 vjeçarin do të kishin frenuar shumë më përpara si dhe do t’i kishin rënë borisë për ta paralajmëruar.

Artikulli paraprakKIR, FINALIZOHET OPERACIONI ANTIDROGË “MUZGU”
Artikulli tjetërMIMOZA HAFIZI KA NJË PËRGJIGJE PËR KRYEMINISTRIN RAMA