Kaosi i krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi” ka sjellë reagimin e Ambasadës së SHBA në Tiiranë.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës për këtë situatë, ndërsa vetëm një ditë më pas, të martën pritet të jepet pretenca për Emiljano Shullazin dhe anëtarët e tij të bandës, tha sot se “populli shqiptar meriton një sistem drejtësie ku policia dhe prokurorët qëndrojnë së bashku kundër kriminelëve”.

Një ditë përpara seancës për dhënien e pretencës në procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ambasada shton se “mbështesim prokurorët e guximshëm që kërkojnë drejtësi, edhe kur ka rreziqe”.

Pak ditë më parë, refuzimi i një grupi prokurorësh për procedurat e zëvendësimit të kolegut që ndiqte çështjen, çoi në kërkesën për hetim disiplinor ndaj tyre nga ana e kryeprokurores Arta Marku, ndërsa tre u transferuan jashtë Tiranës në prokurori më të ulta.

Ky vendim u cilësua nga prokurorët si në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që përmes një deklarate Arta Marku shpjegoi se ata kanë vepruar në kundërshtim me detyrimet e tyre kushtetuese.

Pas kaosit të krijuar te Krimet e Rënda, Prokuria e Përgjithshme njoftoi caktimin e grupit të prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Emrat e prokurorëve të çështjes janë drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela dhe prokurori Gent Osmani.

Artikulli paraprakLEZHE:PASTRONIN PUSIN E UJIT,VDESIN NIPI DHE DAJA
Artikulli tjetërKUVENDI HAP GARËN PËR ANËTARIN E 5-TË MONITORUES TË LIGJIT PËR ORGANET E DREJTËSISË