Media greke i është rikthyer çështjes së shembjes së disa objekteve në Himarë, një çështje e cila prej një viti i mban të acaruara raportet mes Athinës dhe Tiranës. Mediat u janë referuar informacioneve diplomatike për takimin që kryeministri Edi Rama pati para pak ditësh me ambasadorët e vendeve të BE-së dhe të SHBA, për t’i informuar rreth kësaj çështjeje.

Sipas televizionit grek, Antena, qëndrimi i ambasadorëve ishte në mbështetje të banorëve të Himarës që ankohen për shembjen e pronave të tyre. Antena madje e ciëlëson këtë qëndrim që në titull si “shuplakë për Edi Ramën”. Si rezultat i këtij presioni, vazhdon Antena, Kryeministri shqiptar avancoi në disa lëvizje që në aparencë tregojnë vullnet të mirë. U takua me një përfaqësi të himariotëve më 15 shtator, ndërsa ka urdhëruar që fandromat të mos veprojnë në Himarë, derisa Rama të kthehet nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Gazeta greke, “Ethnos”, jep më shumë detaje nga takimi i Ramës me Ambasadorët. Duke iu referuar burimeve të veta që kanë folur në konfidencë, “Ethnos” vë në dukje se ka qenë ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin, që ka mbajtur një qëndrim mjaft të ashpër, duke pranuar ndërkaq, se “çështja e pronave është problematike në gjithë Shqipërinë”.

Por Vllahutin ka theksuar se në rastin e minoriteteve duhet të bëhen “devijime pozitive” nga praktikat që zbatohen zakonisht. Diplomatja kroate e ka ndërlidhur këtë çështje me perspektivën europiane të Shqipërisë, duke e vendosur çështjen e pronave në kuadrin e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut. Sipas ‘Ethnos’, kundrejt vërejtjes së Ramës se “kështu e parashikon ligji në Shqipëri”, Vllahutin është përgjigjur me ashpërsi: “Nëse ligji nuk garanton të drejtat e njeriut, atëherë ndryshoni ligjin”. Sipas mediave greke, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Ambasadori amerikan, Donald Lu.

Ai ka theksuar që para se të avancojë plani i urbanizimit, duhet t’u jepen pronarëve titujt e pronave, që ato të regjistrohen në hipotekë. Lu gjithashtu i ka rekomanduar Kryeministrit që të caktojë një negociator të ri me banorët, i cili duhet të punojë me qëllim shtensionimin e situatës. Pavarësisht saktësisë me të cilën janë përcjellë detajet e takimit, thelbi i problemit mbetet i pandryshuar: plani i përgjithshëm vendor i bashkisë Himarë, është shndërruar në pikën më të nxehtë të tensioneve Athinë – Tiranë këtë vitin e fundit. Diplomacia greke është treguar mjaft aktive për ta ndërkombëtarizuar rrezikun e shembjes së atyre pak objekteve. Ministri i Jashtëm grek ka deklaruar disa herë se kjo çështje është përfshirë në kushtet që duhet të përmbushë Tirana për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Ndërsa bashkë me Presidentin e Republikës greke kanë lënë të kuptohet në mënyrë të përsëritur se Greqia mund të vendosë edhe veton që të pengojë hapjen e këtyre negociatave.

Artikulli paraprakBASHA, FLECKENSTEIN: VETËM ZGJEDHJET E LIRA KTHEJNË BESIMIN E SHQIPTARËVE
Artikulli tjetërSHKATËRROHET BANDA E XHEPISTËVE SHQIPTARË, MAKTHI I TURISTËVE