Në kuadër të anëtarësimeve të reja, Partia Socialiste ka mbajtur pasditen e kësaj të mërkure një takim me të rinjtë në Tiranë.

Në fjalën e tij, kryetari Edi Rama ka deklaruar se, prania e madhe e të rinjve në këtë event është prova se qeveria e tij po hedh bazat e një shteti të mirëfilltë. “Nuk ka provë më bindëse për atë çfarë kemi bërë sesa gjithë kjo valë prurjesh në PS. Ne po punojmë fort për të hedhur bazat e një shteti normal që të funksionojë”, ka thënë Rama. Ai është shprehur i vetëdijshëm që ka ende të pakënaqur, përfshirë këtu jo pak socialistë, por ka shprehur bindjen se, “e kemi kthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur”. “Balta që hedhin kundërshtarët na inkurajon më shumë. Çdo reformë është një operacion dhe ka dhimbjet e veta, por ne do ta shohim triumfin e reformave dhe për këtë unë jam i bindur”, ka thënë Rama. Përpara tij, kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri ftoi të rinjtë që “të ndërtojmë së bashku Shqipërinë europiane”. “Sot politika është e vështirë, ndaj është e domosdoshme të punojmë shumë çdo ditë. Kemi filluar të bëjmë shtet, le ta bëjmë më të lehtë punën duke mbledhur më shumë fuqi”, tha Tahiri, i cili nënvizoi se, “misioni ynë kryesor sot është reforma në sistemin e drejtësisë”. Në të njëjtat linja u shpreh edhe deputeti Pandeli Majko, i cili e cilësoi PS-në si shembullin e demokracisë në Shqipëri. “Anëtarësimet e reja na bëjnë të mblidhemi dhe të festojmë. Sot po dimensionojmë veten për atë që do të vijë edhe nesër. PS është spektakli më i madh i demokracisë në Shqipëri, ku debatohet dhe kundërshtohet”, tha Majko. Pas fjalimeve, kryetari Rama u ka shpërndarë të rinjve teserat e anëtarësimit në PS, në një atmosferë ku nuk kanë munguar batutat dhe shakatë.

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakKOMPANIA E SHËRBIMIT URBAN I PËRGJIGJET TONIN MARINAJT
Artikulli tjetërINAGUROHET GODINA E RE E MEDRESES SË VAJZAVE “HAXHI SHEH SHAMIA”