Grupi politik i reformës zgjedhore, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe nga përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, do të takohen sot për të diskutuar një nga çështjet kryesore të procesit zgjedhor, ankimimet në gjykatë. Mësohet se opozita ka paraqitur një draft ligjor, që synon, sipas selisë blu zbatimin e rekomandimit prioritar të ODIHR-it për këtë çështje, duke nxjerrë jashtë presionit të vetingut gjykatën që do të vendosë për ankesat e procesit.

“ODIHR thotë se Kolegji Zgjedhor ishte nën presionin e vetingut dhe për këtë shkak nga 8 anëtarë, ai mori vendime me 6 anëtarë. Prishja e këtij mekanizmi ndikon negativisht për një proces të lirë dhe demokratik.

Gjithashtu, ODIHR vë në dukje se, për shkak të vetingut, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale dhe nuk mundi të shqyrtojë çështje të karakterit kushtetues në raport me zgjedhjet. Për këto arsye, ODIHR bëri rekomandimin prioritar, i cili kërkon që reforma zgjedhore të garantojë një gjykatë funksionale dhe të pavarur në procesin zgjedhor” thotë PD-ja.

Opozita propozon moratorium 4 vjeçar nga vetingu për gjyqtarët që bëhen pjesë e trupës, e cila do të shqyrtojë ankimimet në procesin zgjedhor. “Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vetingut, siç kërkon ODIHR,

pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më veting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet” vijon më tej PD-ja.

PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4% të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15.

Aktualisht, Kolegji Zgjedhor krijohet nga gjyqtarë të Apelit, por duke qenë se ata janë në veting prioritar, pra, sipas PD-së në presion të vazhdueshëm, Partia Demokratike propozon zgjerimin e bazës së gjyqtarëve edhe në shkallën e parë. “Përveç përmbushjes së disa kritereve të integritetit profesional, ata duhet të kenë të paktën 7 vjet eksperiencë pune, që është kriter barazues me gjyqtarët e apelit”.

Megjithatë pritet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit. Mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë koncensusin deri në 15 mars, por rruga drejt marrëveshjes duket e largët nisur nga kërkesat e opozitës në takimin e datës 12 shkurt, ku PD-ja kërkoi qeveri tranzitore dhe drejtor të ri policie 100 ditë para zgjedhjeve dhe krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK-u.

Artikulli paraprakLARGIMET NGA SHQIPËRIA, MANASTIRLIU: MJEKËT NË DIASPORË DO I RIKTHEJMË NË ATDHE
Artikulli tjetërIKMT-JA TANI DO TË DREJTOHET NGA POLICIA, LLESHAJ JEP POROSITË: DERI NË FUND TË PRILLIT MOS KETË ASNJË RRËNJË KANABIS