Artistët italianë Marinotti e Romano koncert në katedralen e Shën Palit
Në katedralen e Shën Palit në Tiranë është organizuar koncerti i kompozitorëve të shquar Paisello, Rossini, Bach e Presicci ku ka interpretuar violinistja e njohur shqiptare Didi Tartari dhe dy nga artistët më të njohur italianë si klarinetisti Giovanni Marinotti dhe dirigjenti Piero Romano. Organizimi i këtij koncerti bëhet nën kujdesin e Institutit Italian të Kulturës në bashkëpunim me shoqatën “Syri Blu”. Koncerti u dha falas, ku publiku shqiptar kishte rastin të njihej me dy nga emrat më të njohur të muzikës italiane si Giovanni Marinotti e dirigjenti Pierro Romano. Klarinetisti Marinotti është klarinetë e parë e Orkestrës Simfonike të Romës. Ai njihet si një nga më të talentuarit për teknikat e përsosura instrumentale dhe performancat solo, ku në repertorin e tij futen muzika e dhomës, muzika orkestrale e më gjerë. Ndërsa dirigjenti Piero Romano njihet edhe për mjeshtërinë e interpretimit në piano. Ai është fituesi i disa konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka drejtuar orkestra që nga Italia deri në Shqipëri, Amerikë, Spanjë, Belgjikë, Francë, Austri, Zvicër, etj. Që nga viti 1991 Romano shërbeu si Drejtor Artistik i Shoqatës Muzika e Magna Grecia në Taranto dhe në vitin 1992 ai ka konceptuar dhe themeluar Orkestrën della Magna Grecia, duke mbajtur postin e drejtorit artistik, ndërsa që nga viti 1999 ideoi dhe themeloi Korin e Greqisë së Lashtë, duke mbajtur postin e drejtorit artistik. Mjeshtrja e violinës shqiptare Didi Tartari ka bashkëpunuar disa herë me dirigjentin e njohur Romano, ku kanë dhënë koncerte ne Itali dhe Greqi, por edhe në Shqipëri