Merr një tjetër rrjedhë çështja “Babale”, e cila është ende nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

Alfred Veliu personazhi kryesor i kësaj historie, i cili kërkoi azil politik në Kosovë pasi u largua nga Shqipëria është arratisur në Hungari.

Veliu ka lënë papritur kampin e azilkërkuesve në Prishtinë. Sipas të njëjtave burime, autoritet shqiptare kanë dërguar drejt Hungarisë kërkesën për ekstradim për 51-vjeçarin, i cili akuzohet për kallëzim të rremë dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Edhe në Hungari, Veliu ka kërkuar azil politik, duke u shprehur se i rrezikohet jeta në vendin tonë.

Sipas Prokurorisë Shqiptare, dyshohet se ai ka sajuar një histori trafiku droge nga Vlora, ku ka përfshirë edhe vëllain e ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj

. Prokuroria e kryeqytetit për këtë arsye ka zgjatur afatet e hetimit deri në Prill të këtij viti, në pritje të ekstradimit, por edhe për shkak të dëshmive të reja të administruara.

Prokurorisë së Tiranës, pasi i erdhi dosja për kompetencë nga Krimet e Rënda, ka marrë në pyetje për llogari të hetimit ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe një zyrtarë të lartë të Shërbimit Informativ.

Gjithashtu do të thirren për t’u pyetur edhe zyrtarë të tjerë, të cilët janë marrë me hetimin e kësaj dosje.

Ky veprim hetimor do të sqarojë të gjithë procedurën e ndjekur nga institucionet dhe më pas sesi është marrë dëshmia e Alfred Veliut. Për këtë çështje, i vetmi person që ndodhet në qeli është Fredi Alizoti, i cili pranoi se kishte qenë ai personi që kishte bërë rolin e Agron Xhafajt në audio-përgjimin e parë.

Ndërsa në një video të dytë, publikuar nga deputeti Ervin Salianji, Alizoti pranonte se e kishte dhënë dëshminë nën presion dhe shantazhin e policisë.

Salianji gjithashtu është person nën hetim në këtë çështje, i akuzuar për kallëzim të rremë.

Artikulli paraprakVRAU GRUAN DHE FAMILJEN E SAJ, U SHTIR SI E SHOQJA QË TË MOS I ZBULOHEJ KRIMI
Artikulli tjetërAKADEMIA E SHKENCAVE PRESION QEVERISË:TË MIRATOJË PROJEKTLIGJIN E RI