KATALANASIT FITOJNË CHAMPIONS LEAGUE NË FINALEN ME JUVENTUS. Askush nuk mund ta ndalë Barcelonën. Në 9 vite koleksionon 4 champions league. Barcelona shpallet kampione e Europës për të pestën herë radhazi. Katalanasit mundën Juventusin 3-1 në finale. Juventusi nuk arriti të përballonte furinë spanjolle.

E veçantë ishte sfida për Xavin që largohet me triumf nga futbolli i luajtur, ndërsa Pirlo dhe Buffon nuk arritën të ngrinin trofeun. Italianët mund të ngushëllohen me pritjet e Buffon dhe golin e nderit të Moratës, por që nuk mjaftoi për t’i dhënë trofeun. Ajo që nuk pritej aq shpejt dhe nga ai që pritej më pak se kushdo tjetër në një natë të tillë ndodh në minutën e 4 me Rakitic që shënon për Barcelonën. Goli ç’orienton pak bardhezinjtë. Rastet më të mira për të shënuar Juventus i kishte me Markizion, që lëshoi dy silura nga jashtë zone duke shkaktuar drithërima te spanjollët. Dy ekipet pretenduan për penallti por gjyqtari në të dy rastet vazhdoi lojën. 10’ nga fillimi i pjesës së dytë Morata barazon për Juventusin. Barcelona nuk u dorëzua kurrsesi duke marrë shumë shpejt në dorë frenat e lojës dhe rezultatit me Suarez në të 68’, i cili dërgoi në rrjetë topin e kthyer nga Buffon pas gjuajtjes së Iniestës. Juventusi tentoi reagimin për të barazuar me Moratën, Tevez, Pogba dhe Lorenten, por nuk ishin të saktë para portës. Arbitri vendosi 5’ shtesë dhe shpresë për Juventusin për të dërguar sfidën në shtesë, por zhvendosja në sulm solli golin e tretë nga Neymar duke vendosur vulën e finales, ndërsa Mesi nuk arriti të linte gjurmë në trofeun e pestë të Champions League për Barcelonën.

Artikulli paraprakPS DENONCON VJEDHJEN E VOTËS NGA PD
Artikulli tjetërPD: KA NISUR NUMËRIMI MBRAPSHT PËR ALEANCËN PS-LSI