Basha, Alfanos: Qeveria teknike, mënyra e vetme për të dalë nga kriza

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot në Tiranë me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Italisë, Angelino Alfano. Basha falenderoi Ministrin Alfano për bashkëpunimin si dhe mbështetjen që Italia ka dhënë dhe jep në proceset integruese në Shqipëri. Diskutimi u fokusua tek aktualiteti politik në vend, dhe tek kërkesat e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha i tha Ministrit të Jashtëm Italian se qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme, sipas standardeve europiane. “Integrimi europian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri Europiane”, pohoi Basha. Kryetari i Opozitës sqaroi se këto standarde europiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që clirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatim i i reformës në drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus. Basha dhe Ministri Alfano diskutuan në lidhje me rritjen e shqetësimit për shumëfishimin e kultivimit të kanabisit në veçanti, dhe trafikimit të kësaj droge që ka afektuar rëndë vendin fqinj. Kjo e konfirmuar edhe nga Prokurori Kombëtar i Antimafies, Franco Roberti. Fatkeqësisht, raporti i fundit i Europol dhe Departamentit të Shtetit flasin me shqetësim për Shqipërinë si një port në Europë për tranzitin e drogave të rënda, dhe e nxjerrin vendin tonë si burim kryesor për kanabisin. Basha përcolli me shqetësim dhe moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit nga qeveria, si dhe faktin që akoma në parlament, në bashki dhe në poste publike, ka persona me rekorde kriminale. Basha e falenderoi Ministrin Alfano për kontributin e pacmueshem të Italisë mike në rrugëtimin 27 vjecar të Shqipërisë së hapur dhe demokratike dhe shprehu bindjen në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Artikulli paraprakBASHA PRET AMBASADORIN E FEDERATËS RUSE
Artikulli tjetërZJARR MASIV NË MËZEZ,NUK KA TE LENDUAR