73-vjetori i kryengritjes së Postribës është përkujtuar nga kryetari i PD Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetin social “facebook”. Kreu i PD shprehet se çdo shqiptar përulet para veprës së 9 shtatorit 1946 ku burra e gra të të gjitha besimeve bënë kryengritjen e parë antikomuniste në Europë ndaj regjimit gjakatar komunist por këtij rreziku ndërkombëtar komunistët iu përgjigjën me vrasje e pushkatime.

“Këtij rreziku ndërkombëtar që paraqiste Kryengritja e Postribës, regjimi ju përgjigj me metodën e vetme që njihte, dhunën masive, vrasjet e pushkatimet pa gjyq. Në raportimet zyrtare të Sigurimit të Shtetit dëshmohet gjuetia e shëmtuar që strukturat e Sigurimit kryen ndaj popullsisë, jo vetëm në Postribë, por edhe në Shkodër, në Malësinë e Madhe, në Pukë e në Mirditë, të kapluara nga paniku se Postriba do të shërbente si një burim frymëzimi.

Kjo gjueti njerëzore, bilanci përfundimtar i të cilës ende nuk dihet, por ku raportimet flasin për mbi 60 të vrarë, dhjetëra të tjerë të vdekur burgjeve e mijëra të dënuar me burgime të gjata e punë të detyruar, i zgjati jetën një diktature që s’kishte më asgjë të përbashkët me idealin antifashist që predikonte, por ishte shndërruar në një makineri vrasëse që e trajtonte popullin si skllav dhe që kishte hedhur në treg interesat kombëtare, për hir të përjetësimit të pushtetit të vet. Aktet makabre u kryen jo vetëm ndaj drejtuesve të Kryengritjes, Osman Haxhisë, Jup Kazazit, Idriz Tahirit e të tjerëve, por edhe ndaj familjeve të tyre e fshatrave të tëra pa dallim”.

Basha vijon më tutje duke thënë se kryengritje si kjo e Postribës janë momente që na tregojnë se PD do ta fitojë betejën edhe sot përballë bijve të xhelatëve të cilët përmes strukturave shtetërore po tentojnë që në vend të këtyre momenteve historike të qëndresës t’i zëvëndësojnë me masakrat komuniste të baballarëve të tyre.

“Pasardhësit e xhelatëve po tentojnë ta kthejnë sërish në kulturë zyrtare përkujtimin e masakrave shtetërore dhe po synojnë të nxjerrin nga diskursi publik përkujtimin e qëndresës ndaj diktaturës dhe të heronjve që ranë në përpjekje për liri e dinjitet. Në 73-vjetorin e Kryengritjes madhështore të Postribës më duhet të pranoj se kjo krenari e

xhelatëve fatkeqësisht ka një frymëzim shtetëror. Struktura të shtetit janë angazhuar ethshëm për restaurimin e pushtetit të bijve të nomenklaturës dhe me forcën e propagandës e të strukturave të pushtetit po kërkohet të tulasin ish-të përndjekurit politikë, po tentohet t’i getoizojnë ata në cep, jashtë jetës publike, jashtë angazhimeve

civile e jashtë përpjekjeve legjitime për të marrë pjesë në pushtet e në ndërtimin e shtetit. Sakrifica e heronjve të Postribës do i ndihmojë të gjithë shqiptarët patriotë ta fitojnë betejën tinzare që pasardhësit e xhelatëve u kanë vënë përballë, atë të kthimit në Lindje. Shqiptarët do ta fitojnë këtë betejë të pamerituar në nderim të heronjve të Postribës, por edhe për të garantuar të ardhmen e fëmijëve tanë, një të ardhme të merituar në gjirin e kombeve demokratike të Perëndimit”.

Artikulli paraprakSHKOLLA “PASHKO VASA” PAJISET ME KAMERA SIGURIE
Artikulli tjetërSHQIPËRIA E FUNDIT NË BE PËR SHPENZIMET NË SHËNDETËSI