Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Slloveni në një aktivitet mbi sundimin e ligjit në vendet që kërkojnë integrimin në Bashkimin Europian.

Lideri demokrat gjatë fjalës së tij kërkoi aplikimin në Shqipëri të ashtuquajturit ‘Raporti Priebe’.

“Monitorimi më efektiv i reformave të Sundimit të Ligjit në vendet që kërkojnë anëtarësim mund të arrihet duke u mbështetur në shembullin pozitiv të të ashtuquajturit Raporti Priebe, i cili tashmë ndihmoi në tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në 2015.

Komisioni Evropian sapo ka nisur një nismë të re për raportimin e Priebe për të monitoruar të gjithë sistemin e Sundimit të Ligjit në Bosnje dhe Herzegovinë. Unë inkurajoj Komisionin që të iniciojë një mision të tillë monitorimi edhe në Shqipëri” tha Basha.

Opozita në Shqipëri ka djegur mandatet duke dalë në rrugë, ndërsa ka zhvilluar nëntë protesta duke kërkuar largimin e qeverisë Rama nga pushteti, pasi e cilëson si të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Por Rama ka deklaruar se nuk ka për të pasur zgjedhje parlamentare para vitit 2021.

Por cfarë është ‘Raporti Priebe’ që Basha kërkon të aplikohet edhe në Shqipëri?

Në 2017 në momentin e krizës së thellë politike së bashku me ndërmjetësimin diplomatik midis aktorëve politikë në Maqedoni, Brukseli mblodhi një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr nga ish-drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Reinhard Priebe për të identifikuar çështjet sistematike të Sundimit të Ligjit.

Hetimi asokohe në vendin fqinj çoi në të ashtuquajturin “Raporti Priebe”. Ekspertët e pavarur nga vendet anëtare të BE-së identifikuan problemet e demokracisë duke shkuar më thellë se raportet e zakonshme të BE-së.

“Raporti Priebe” u porosit dhe publikua nga Komisioni Europian çka i dha peshë më të madhe. Lulzim Basha kërkon nga Brukseli që një gjë e tillë të aplikohet edhe në Shqipëri, në një moment kur na ndajnë vetëm pak javë nga vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Europian.

Artikulli paraprakTHERI ME THIKË ÇIFTIN, GJYKATA NUK PRANON APELIMIN
Artikulli tjetërTURQI, SEKUESTROHET 5 TON DROGË