Vllaznia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Partizanit në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës.

Kuqeblutë fituan 91-80 ndaj Partizanit me një ndeshje të dominuar kryesisht nga Vllaznia. Kjo fitore është e rëndësishme pasi Vllaznia barazon me pikë Kamzën në fundin e tabelës duke shpresuar seriozisht tashmë për mbijetesën.

Kuqeblutë këtë vit objektiv kanë vetëm të qëndrojnë në ligën e parë të basketbollit dhe fitorja me Partizanin vlen shumë në këtë aspekt. Përballja në Shkodër mes dy ekipeve ishte një ndeshje e fortë dhe një lojë e bukur.

Shkodranët u treguan më të qetë dhe më të saktë në lojën e zhvilluar duke mos gabuar në lojën sulmuese por edhe duke u mbrojtur mirë. Nga të dy kampet gjatë ndeshjes pati disa pretendime për arbitrat e ndeshjes.

Trajneri i Partizanit Arben Fagu mori një teknik ashtu siç në kampin shkodran trajneri Neven Plantak dhe 3 lojtarë të tjerë po ashtu morën teknik nga arbitrat.

Dy basketbollistët Malik për Vllazninë dhe Williams për Partizanin u dërguan jashtë fushe për një përplasje në fundin e lojës me njëri-tjetrin.

Edhe gjatë ndeshjes momentet e tensionuara nuk munguan duke qenë se të dy ekipet objektiv të vetëm kishin fitoren.

Pas kësaj fitoreje të Vllaznisë, trajneri i shkodranëve Neven Plantak tha se ishte një fitore e vështirë dhe se duhet ende shumë punë për të arritur objektivin që është mbijetesa.

Tashmë Vllaznia pas barazimit me pikë të barabarta me Kamzën shpreson tek mbijetesa edhe pse ka ende ndeshje për t’u luajtur dhe nuk do të jetë e lehtë deri në fund.

Artikulli paraprakSHKODËR, SHKOLLA “28 NËNTORI” NË FESTIVALIN TEATROR
Artikulli tjetërZJARR I MADH, DIGJEN PESË HEKTARË PYJE