Pas protestave të qytetarëve kosovarë, të cilët shprehën kundërshti në lidhje me mbajtjen e takimeve elektorale nga politikanë serbë në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian, ka kërkuar që serbëve të Kosovës që duan të marrin pjesë në këto takime t’u mundësohet diçka e tillë.

Në një komunikatë për mediat, zëdhënësja e BE-së për politikat e jashtme, Maja Kocijancic,ka deklaruar se Brukseli është vënë në dijeni të disa raporteve për bllokimin e rrugëve, duke kërkuar që këtij problem t’i jepet zgjidhje. “Po i ndjekim me vëmendje ngjarjet në veriun e Kosovës, në lidhje me vizitat e politikanëve serbë, në një kohë kur Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale ditën e diel. Kemi marrë raportime për bllokime rrugësh dhe për pengesa që kanë patur serbët e Kosovës për të marrë pjesë në këto takime. BE i kërkon autoriteteve në Kosovë që t’u mundësojnë këtyre qytetarëve të drejtën për të marrë pjesë në këto tubime.” Më tej, zëdhënësja e Bashkimit Evropian për politikat e Jashtme, kërkoi që OSBE të mandatohet për mbledhjen e shpejtë të votave në bazë të praktikës që është ndjekur edhe në raste të ngjashme në të shkuarën. Kocijancic u shpreh se gjithçka duhet të ndodhë në rrafshin e marrëveshjeve që janë arritur si dhe në kontekstin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Takimet elektorale të partive serbe në veri të Kosovës kanë shkaktuar polemika dhe deri diku tension mes Prishtinës dhe Beogradit. Diçka e tillë kulmoi me anulimin e vizitës së kandidatit presidencial, Alexandër Vuçiç, i cili kishte parashikuar një takim ditën e Mërkurë. Shefi aktual i ekzekutivit, që është favoriti për të zënë postin e kreut të shtetit serb, i konsideroi një shantazh kushtet që vendosën autoritetet kosovare për të.

Artikulli paraprakBOB DYLAN PAS 5 MUAJSH PRANON ÇMIMIN NOBEL PËR LETËRSINË
Artikulli tjetërFJOLLA MORINA SULMON ADELINA ISMAILIN