Pas tentativave të njëpasnjëshme për të hyrë dhe marrë me forcë selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thirrur sot një protestë para selisë blu, në formë presioni ndaj Lulzim Bashës, të cilit i kërkon të largohet bashkë me lidershpin.

Protesta e thirrur prej tij do të mbahet sot në orën 12:00 para selisë së PD, ku pritet të grumbullohen simpatizantët e Berishës për të hapur më pas dyert e ‘shtëpisë së demokratëve’, sikurse ka premtuar ish-kryeministri. Kjo protestë vjen pas dështimit të 5 janarit, afati që ai i kishte lënë Bashës për të liruar selinë, gjë e cila nuk ndodhi.

Kampi i mbështetësve të Berishës thonë se protesta do të jetë paqësore e ndërsa nga ana tjetër PD-ja zyrtare flet për skenare dhune me banditë e kriminelë, e për këtë kanë bërë me dije se kanë marrë edhe masa.

Në media kanë dalë foto të dyerve të blinduara brenda në seli, ndërsa dje, Report Tv me gazetaren Danjela Maloku bënë një inspektim se si paraqitet situata në seli. Çdo derë e selisë është e mbyllur me çelës ndërsa xhamat janë të veshur me adezivë duke mos lejuar të shihet asgjë nga brenda.

Nga ana tjetër, masa ka marrë edhe Kryeministria. Ndonëse protesta është thirrur të mbahet në seli, kryeministria ka ‘blinduar’ derën kryesore ashtu si kurse është bërë në çdo protestë të së shkuarës.

Për atë se çfarë pritet të ndodhë sot me partinë më të madhe opozitare në vend, të dyja palët kanë nga një skenar. Ditën e djeshme, pas dyerve të mbyllura të selisë së PD, Berisha tha se sot ata do të nxjerrin Bashën me ‘pekule’ dhe ‘mjete teknik e paqësore’. Por edhe pse foli për protestë paqësore, Berisha paralajmëroi për pasoja shumë të rënda për ‘mercenarët që shoqërojnë Bashën’.

Nga ana tjetër, kryedemokrati Basha reagoi pas këtyre deklaratave ku i kërkoi demokratëve të qëndrojnë larg, teksa paralajmëroi se Berisha ka mobilizuar trafikantë e kriminelë për dhunë. Ishte sekretari i përgjithshëm PD i cili përmendi edhe emrat e këtyre personave, Petrit Mustafa dhe Fatjon Dautaj, që sipas tij janë dënuar për vrasje dhe trafik droge në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë Basha ka theksuar se ditën e sotme ai do të vijojë si normalisht punën e tij dhe se e vetmja betejë për të është ajo kundër ‘regjimit të Ramës’.

Konflikti Berisha-Basha shpërtheu në 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, me kërkesë të SHBA, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata nga DASH për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.